Qeveria e Kosovës mban sot mbledhjen e saj të shtatë, e cila është paraparë të nisë në orën 09:00, në ndërtesën e Qeverisë.

Sipas rendit të ditës, në këtë mbledhje pritet të shqyrtohen disa projektligje dhe propozim-vendime, si dhe kërkesa nga institucione të ndryshme, transmeton Klankosova.tv.
Ndër pikat kryesore të rendit të ditës janë projektligji për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave (MPB) dhe projektligji për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinarisë dhe Pylltarisë.
Po ashtu, ministrat pritet të shqyrtojnë draftin e Programit për Vlerësimin Ex-Post të Akteve Juridike për vitet 2026-2028, si dhe propozim-vendimin për mbështetje financiare për Këshillin Kombëtar Shqiptar.
Në rend të ditës është përfshirë edhe kërkesa e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim për tjetërsimin ose shitjen e nëntë automjeteve zyrtare, të cilat janë të papërdorshme dhe jashtë funksionit.
Qeveria pritet të shqyrtojë gjithashtu kërkesën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për kthimin e fondeve për Ndërmarrjen Shoqërore “Komogllava”.
Një tjetër pikë ka të bëjë me ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare, me qëllim të linjëzimit të politikës së jashtme të Kosovës me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian.
Në mbledhjen e sotme do të shqyrtohen edhe dy propozim-vendime që lidhen me kërkesat e Presidentes së Republikës së Kosovës për dhënien e autorizimit ministrit për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, për nënshkrimin e marrëveshjeve për Sigurime Sociale.
Marrëveshjet përkatëse kanë të bëjnë me Republikën e Kosovës dhe Republikën e Turqisë, ndërsa në procedurë përfshihen edhe institucionet përgjegjëse për punën, familjen dhe çështjet sociale.





