Kryeministri Albin Kurti ka thënë se shëndeti mendor i fëmijëve dhe të rinjve duhet të jetë pjesë e pandashme e politikave shtetërore. Ai ka kërkuar që institucionet të përqendrohen në parandalim, identifikim të hershëm dhe ofrim të mbështetjes sa më pranë familjeve.

Kurti foli në një tryezë të organizuar nga Zyra e Kryeministrit në bashkëpunim me UNICEF-in. Diskutimi u mbështet në raportin e publikuar në gusht nga UNICEF-i dhe Instituti i Psikologjisë i Universitetit të Prishtinës, i cili pasqyron shërbimet e shëndetit mendor dhe të mbështetjes psikosociale për fëmijët dhe të rinjtë në Kosovë.
“Takimi i sotëm duhet të na çojë nga evidenca te veprimi”, tha Kurti. Ai kërkoi që institucionet të përcaktojnë cilat masa duhen ndërmarrë me përparësi dhe të forcojnë bashkëpunimin mes shëndetësisë, arsimit, shërbimeve sociale dhe drejtësisë.
Kryeministri përmendi edhe shtesat për fëmijët, mbështetjen për nënat lehona dhe programin e ndërhyrjes së hershme për fëmijët me aftësi të kufizuara. Sipas tij, synimi është që fëmijët, të rinjtë dhe familjet e tyre ta dinë ku të drejtohen dhe të marrin ndihmë në kohë, kudo që jetojnë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




