Kryeministri Albin Kurti, në fjalimin që e ka mbajtur në ceremoninë përmbyllëse të projektit PIAKOS, të organizuar nga ATRC dhe Banka Botërore, ka deklaruar se Serbia nuk ia ka dorëzuar Kosovës dokumentacionin kadastral, pavarësisht marrëveshjes së arritur në vitin 2011.

Ai tha se nga kjo marrëveshje janë bërë më shumë se 15 vjet, transmeton Klankosova.tv.
“Natyrisht që sfidë e veçantë për shtetin tonë ngelet fakti që janë bërë më shumë se 15 vjet që Serbia nuk na ka dorëzuar dokumentacionin kadastral, edhe pse marrëveshja ndërshtetërore është nënshkruar me datë 2 shtator 2011. Pra, në muajin e kaluar janë bërë 15 vjet që Bashkimi Evropian u ka dhënë dy milionë euro donacion Beogradit zyrtar, e ata s’na e kanë dorëzuar as kopjen e dokumentacionit kadastral, se le më origjinalin. E pavarësisht kësaj vështirësie, institucionet e shtetit dhe shoqëria civile po punojnë bashkë për më të mirën e popullit tonë”, u shpreh Kurti.




