Defekti në gypin e ujësjellësit me diametër 350 milimetra, te Pallati i Rinisë në Prishtinë, mund të rregullohet deri pasditen e sotme, ka bërë të ditur zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku.

Në emisionin “Fol me Arin”, Mjeku tha se ekipet e mirëmbajtjes janë në terren dhe po punojnë për sanimin e defektit, i cili ka shkaktuar ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm në disa pjesë të kryeqytetit.
Ajo bëri të ditur se konsumatorët janë njoftuar për ndërprerjen në orën 07:30, në mënyrë që ekipet të mund të intervenojnë drejtpërdrejt në gypin e dëmtuar.
“Është një defekt i natyrës pak më të rëndë, sepse është edhe gypi me diametër më të madh, 350 milimetra, dhe po shpresojmë që të rregullohet deri në orën 16:00 gjatë ditës së sotme”, deklaroi Mjeku.
Megjithatë, ajo theksoi se ky është një vlerësim bazuar në natyrën e defektit dhe se nuk mund të premtohet koha e saktë e përfundimit të punimeve.
“Po shpresojmë që të rregullohet edhe më herët, por parashikimet tregojnë se para orës 16:00 është e pamundur të kryhet sanimi”, tha ajo në Klan Kosova.




