Gjatë inaugurimit të muzeut të vjetër të Akropolit, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis në fjalimin e tij, iu referua kërkesës së vazhdueshme të Greqisë për kthimin e skulpturave të Partenonit, të cilat ruhen në Muzeun Britanik.

“Kthimi dhe ribashkimi i Mermerëve të Partenonit mbetet objektivi ynë madhor kombëtar, nga i cili nuk tërhiqemi. Vendi i këtyre kryeveprave të paçmueshme është këtu, nën dritën e Atikës dhe në kontakt të drejtpërdrejtë me tempullin të cilit i përkasin. Meqenëse një histori 2.500-vjeçare nuk mund të fshihet, asnjë zgjidhje apo marrëveshje nuk mund të pranohet nëse përfshin njohjen e pronësisë së huaj mbi thesaret tona kombëtare”, deklaroi kryeministri grek.
Në të njëjtën kohë, Mitsotakis bëri të ditur se, pas zhvendosjes së ekspozitave në muzeun e ri, muzeu i vjetër kishte mbetur i mbyllur për rreth 20 vjet, duke lënë të hapur pyetjen se cili do të ishte qëllimi i tij i ardhshëm, raporton Euronews, transmeton Klan Kosova.
“Opsioni më i lehtë do të ishte që ky muze të mbetej i nënvlerësuar, duke shërbyer vetëm si një hapësirë magazinimi apo zyrash. Ndërsa opsioni më i vështirë është ai që ka zgjedhur qeveria: riintegrimi i këtyre pjesëve në vendndodhjen e tyre arkeologjike”, u shpreh kryeministri grek./Klankosova.tv





