Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet të hënën, duke filluar nga ora 11:00, për të shqyrtuar një sërë çështjesh, përfshirë përgatitjet për seancën e ardhshme plenare.
Sipas njoftimit të Kuvendit, në rend dite është propozimi për rendin e ditës së seancës së radhës, si dhe formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e katër anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).

Komisioni do të përzgjedhë kandidatët për dy anëtarë nga komuniteti shqiptar, një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet joshumicë.
Po ashtu, anëtarët e Kryesisë do të shqyrtojnë propozimin e Grupit Parlamentar të Listës Serbe për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.
Në mbledhje parashihet edhe miratimi i procesverbaleve të mbledhjeve të mëparshme të Kryesisë, ndërsa në kuadër të përgatitjeve për seancën plenare janë përfshirë deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.
Në fund, Kryesia do të shqyrtojë edhe propozime dhe kërkesa të tjera.
Burimi: Dukagjini




