KRU “Gjakova” ka njoftuar se është drejt përfundimit projekti për ndërrimin e rrjetit të kanalizimit në fshatin Hereç të komunës së Gjakovës.

Sipas njoftimit të kompanisë, në kuadër të këtij projekti janë duke u ndërruar gjithsej 1.100 metra rrjet kanalizimi, ndërsa deri në përfundimin e plotë të punimeve kanë mbetur edhe rreth 100 metra.
Projekti, i cili po financohet tërësisht nga KRU “Gjakova”, po realizohet me ritëm të shpejtë dhe, sipas parashikimeve, pritet të përfundojë brenda një jave.
Për vite me radhë, banorët e fshatit Hereç janë përballur me probleme serioze si pasojë e përhapjes së ujërave të ndotura dhe fekaleve në hapësira publike dhe toka bujqësore.
Me realizimin e këtij projekti, synohet zgjidhja e një problemi shumëvjeçar, përmirësimi i kushteve higjieno-sanitare dhe krijimi i një mjedisi më të sigurt për banorët e këtij fshati.
Banorët kanë shprehur kënaqësinë e tyre për zgjidhjen që po merr ky problem, ndërsa përfundimi i punimeve pritet të shënojë një hap të rëndësishëm në përmirësimin e infrastrukturës së kanalizimit në këtë zonë. /Telegrafi/




