Kosova nënshkruan marrëveshje prej 41 milionë eurosh për pajisje mjekësore dhe infrastrukturë shëndetësore

Kosova nënshkruan marrëveshje prej 41 milionë eurosh për pajisje mjekësore dhe infrastrukturë shëndetësore

Kosova nënshkruan marrëveshje prej 41 milionë eurosh për pajisje mjekësore dhe infrastrukturë shëndetësore

Qeveria e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje financimi në vlerë prej 41 milionë eurosh me Bankën Evropiane të Investimeve (BEI) dhe Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB), për projektin e pajisjeve mjekësore dhe përmirësimit të infrastrukturës shëndetësore.

Sponsor 3M Express

Investimi synon sigurimin e pajisjeve moderne mjekësore dhe përmirësimin e infrastrukturës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, si dhe në spitalet rajonale të Prizrenit, Pejës, Gjakovës dhe Gjilanit. Financimi prej 41 milionë eurosh do të ndahet në mënyrë të barabartë mes dy bankave.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se marrëveshja do të mundësojë realizimin e investimeve në pajisje mjekësore dhe infrastrukturë, me synim përmirësimin e kushteve për pacientët dhe profesionistët shëndetësorë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, sot po nënshkruan bashkë me Bankën Evropiane të Investimeve dhe Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës marrëveshje kredie për projektin e pajisjeve mjekësore dhe përmirësimit të infrastrukturës. Vlera e përgjithshme e këtij projekti është 41 milionë euro dhe bashkëfinancimi është i ndarë barabartë nga dy bankat, pra EIB dhe CEB. Investimi do të sigurojë pajisje mjekësore moderne dhe do të ndikojë në infrastrukturën përcjellëse në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, si dhe në spitalet rajonale të Prizrenit, Pejës, Gjakovës dhe atë të Gjilanit”, tha Murati.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se modernizimi i infrastrukturës dhe teknologjisë mjekësore është ndër prioritetet e përcaktuara në Strategjinë Sektoriale të Shëndetësisë 2025–2030.

Sipas tij, strategjia parasheh riorganizimin e institucioneve shëndetësore dhe përmirësimin e infrastrukturës fizike, veçanërisht në institucionet e nivelit sekondar dhe terciar, si dhe furnizimin e tyre me pajisje moderne mjekësore.

“Strategjia Sektoriale e Shëndetësisë 2025–2030 pasqyron prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sektorin e shëndetësisë. Në objektivat strategjikë të kësaj strategjie, kemi identifikuar riorganizimin e institucioneve shëndetësore dhe modernizimin e infrastrukturës dhe teknologjisë mjekësore si një nga prioritetet e sotme. Strategjia i jep një rëndësi të veçantë përmirësimit të infrastrukturës fizike të institucioneve shëndetësore sekondare dhe terciare, me furnizimin e tyre me pajisje mjekësore moderne për një periudhë afatgjatë”, tha Vitia.

Nënkryetari i Bankës Evropiane të Investimeve, Robert de Groot, tha se investimi do të ndihmojë që profesionistët shëndetësorë dhe pacientët në Kosovë të kenë qasje në pajisje dhe infrastrukturë moderne, duke kontribuar në përmirësimin e diagnostikimit dhe trajtimit.

“Kujdesi shëndetësor është një nga mënyrat më të dukshme përmes të cilave investimet publike ofrojnë shërbime për njerëzit. Çdo ditë, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, qytetarët duhet të jenë në gjendje të mbështeten te kujdesi thelbësor mjekësor për veten dhe familjet e tyre. Dhe duke nënshkruar këtë operacion sot, ne po ndihmojmë për të siguruar që profesionistët shëndetësorë dhe pacientët në mbarë Kosovën të kenë qasje në pajisje dhe lehtësira moderne. Kjo do të thotë pajisje mjekësore të avancuara dhe përmirësim i infrastrukturës mbështetëse, duke rezultuar në diagnostikim më të mirë, trajtim më efektiv dhe kujdes të përmirësuar për pacientët”, tha de Groot.

Ndërkaq, zëvendësguvernatori për Strategjinë e Zhvillimit Social në Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës, Johannes Böhmer, theksoi rëndësinë e sistemit shëndetësor si një shërbim themelor që institucionet publike duhet t’ua sigurojnë qytetarëve.

“Mund të themi se pa shëndet, çdo gjë është asgjë. Dhe mendoj se popullatat në të gjitha vendet tona presin një sistem të fortë shëndetësor si një shërbim bazë që qeveritë duhet ta sigurojnë në mënyrë që të mbajnë popullatën e tyre funksionale. Pa shëndet, shumë gjëra të tjera bëhen dytësore dhe për këtë arsye, kjo është edhe më e rëndësishme”, tha Böhmer.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Kosova nënshkruan marrëveshje prej 41 milionë eurosh për pajisje mjekësore dhe infrastrukturë shëndetësore appeared first on Sinjali.

Burimi: Sinjali

Lexo edhe

Robert Hall dhe Michael Woodford fitojnë Çmimin Nobel për Ekonomi 2026

Robert Hall dhe Michael Woodford fitojnë Çmimin Nobel për Ekonomi 2026

FSK përmbyll ushtrimin “VALOR SHIELD 2026” me partnerët ndërkombëtarë

FSK përmbyll ushtrimin “VALOR SHIELD 2026” me partnerët ndërkombëtarë

FSK-ja përmbyll me sukses ushtrimin fushor “VALOR SHIELD 2026”

FSK-ja përmbyll me sukses ushtrimin fushor “VALOR SHIELD 2026”