Eksportet e Kosovës kanë shënuar rritje prej 35,3 për qind në tetor 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa vlera e importeve ka arritur në 699,3 milionë euro.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), eksporti i mallrave gjatë tetorit kishte vlerën 124,2 milionë euro, duke shënuar rritje prej 35,3 për qind. Ndërkaq, importi arriti në 699,3 milionë euro, me rritje prej 12,5 për qind krahasuar me tetorin e vitit 2025.
Deficiti tregtar në këtë periudhë ishte 575,1 milionë euro, krahasuar me 530 milionë euro në tetorin e vitit të kaluar. Kjo paraqet rritje prej 8,5 për qind të deficitit tregtar.

Sipas ASK-së, eksporti mbuloi importin me 17,8 për qind.
Në strukturën e eksporteve, pjesën më të madhe e përbënin metalet bazë dhe artikujt prej tyre, me 23,3 për qind. Pas tyre renditeshin produktet minerale me 20,6 për qind, plastika, goma dhe artikujt prej tyre me 10,7 për qind, si dhe ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 8,7 për qind.
Ndërsa, në strukturën e importeve dominonin produktet minerale me 18,6 për qind, makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike me 12,3 për qind, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 11,5 për qind, si dhe mjetet e transportit me 11 për qind.
Tregtia me vendet e BE-së dhe CEFTA-s
Eksportet e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian (BE) arritën në 35,3 milionë euro, që përbëjnë 28,5 për qind të eksporteve të përgjithshme. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, ato shënuan rritje prej 13,8 për qind.
Partnerët kryesorë për eksport në BE ishin Gjermania me 9,5 për qind, Holanda me 2,9 për qind dhe Italia me 2,2 për qind.
Në anën tjetër, importet nga vendet e BE-së arritën në 283,6 milionë euro, apo 40,6 për qind të importeve të përgjithshme, duke shënuar rënie prej 0,2 për qind. Pjesën më të madhe të importeve nga ky grup e përbënin mallrat nga Gjermania me 12,8 për qind, Greqia me 5,7 për qind dhe Italia me 4,5 për qind.
Ndërkaq, eksportet e Kosovës në vendet e CEFTA-s arritën në 65,9 milionë euro, që përbëjnë 53,1 për qind të eksporteve të përgjithshme. Në këtë grup u regjistrua rritje prej 66,4 për qind.
Partnerët kryesorë për eksport ishin Shqipëria me 28,7 për qind, Maqedonia e Veriut me 11,4 për qind, Serbia me 6,7 për qind dhe Mali i Zi me 4,2 për qind.
Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 84,7 milionë euro, apo 12,1 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 12,3 për qind. Pjesëmarrjen më të madhe në këtë grup e kishin Maqedonia e Veriut me 5,2 për qind, Serbia me 3,1 për qind dhe Shqipëria me 2,5 për qind.
Tregtia me vendet e tjera
Eksportet e Kosovës drejt vendeve të tjera arritën në 22,9 milionë euro, që përbëjnë 18,5 për qind të eksporteve të përgjithshme. Ndër partnerët kryesorë në këtë grup ishin Zvicra me 9 për qind dhe Turqia me 2,4 për qind.
Ndërkaq, importet nga këto vende arritën në 330,9 milionë euro, apo 47,3 për qind të importeve të përgjithshme. Kina, me 15,5 për qind, dhe Turqia, me 10,6 për qind, ishin vendet me pjesëmarrjen më të madhe në këtë grup. /Telegrafi/





