Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës kanë konfirmuar ndalimin e katër personave në lidhje me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, zhvillim për të cilin Gazeta Sinjali raportoi më herët ekskluzivisht.

Në mesin e të ndaluarve janë ish-vjehrra e së ndjerës, Nurije Sylaj, dhe ish-kunati i saj, Driton Sylaj.
Sipas komunikatës së përbashkët të Prokurorisë dhe Policisë, të katër personat janë ndaluar për 48 orë, pas zhvillimit të veprimeve intensive hetimore.
Siç raportoi ekskluzivisht Sinjali, katër personat e ndaluar janë:
- Nurije Sylaj – ish-vjehrra e Arlinda Zekajt;
- Driton Sylaj – ish-kunati i së ndjerës;
- Metë Pepaj;
- Gëzim Bobi. Sinjali zbulon identitetin e tyre
Sipas Prokurorisë, Nurije dhe Driton Sylaj dyshohen për ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, pikat 1.3, 1.4 dhe 1.8, lidhur me nenin 33 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, Metë Pepaj dhe Gëzim Bobi dyshohen për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, nga neni 380 i Kodit Penal.
Prokuroria ka bërë të ditur se gjatë veprimeve hetimore janë siguruar prova materiale që mbështesin dyshimin e bazuar për përfshirjen e tyre në veprat penale për të cilat po hetohen.
Prokuroria zgjeron hetimet, paralajmëron kërkesë për paraburgim ndaj të katërve
Prokurori i çështjes ka nxjerrë aktvendim për zgjerimin e hetimeve, me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të rastit.
Brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do të parashtrojë kërkesë në gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të katër të pandehurve.
Kujtojmë se Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, ndërsa për vrasjen e saj dyshohet ish-kunati, Albert Sylaj, i arrestuar më 27 tetor.
Gazeta Sinjali do të vazhdojë të raportojë për zhvillimet e reja në këtë rast.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





