Komisioni i Posaçëm për Shqyrtimin e Kandidatëve për Emërim në Gjykatën Kushtetuese ka mbajtur mbledhjen e parë, ku ka vendosur për shpalljen e thirrjes publike për zgjedhjen e dy gjyqtarëve të rinj në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Kryetari i këtij komisioni, Vigan Qorrolli, ka bërë të ditur se thirrja publike do të hapet nga dita e nesërme dhe do të jetë e hapur për 28 ditë, deri më 2 nëntor 2026. Ai ka theksuar se, në përputhje me ligjin, kandidaturat mund të propozohen nga institucionet e drejtësisë, por edhe nga individët që dëshirojnë të kandidojnë vetë.

“Meqenëse nga legjislatura paraprake janë dy vakanca në Gjykatën Kushtetuese dhe janë dy sosh, siç përcjell atyre, ashtu sot komisioni i posaçëm për shqyrtimin e kandidatëve për anëtarë në Gjykatën Kushtetuese e ka bërë mbledhjen e parë dhe ka vendosur që ta shpallë thirrjen publike, nga dita e nesërme që do të zgjasë 28 ditë deri më 2 nëntor të vitit 2026”, ka deklaruar Qorrolli.
Ai ka bërë të ditur se, pas përfundimit të afatit për aplikim, komisioni do të shqyrtojë kandidaturat e pranuara dhe do të zhvillojë intervistat me kandidatët.
“Dhe në përputhje me ligjin për Gjykatën Kushtetuese, të gjitha institucionet e drejtësisë mund të bëjnë nominimin e kandidatëve, të cilët kushtet i kanë të parashikuara me ligj për Gjykatën Kushtetuese, por ashtu edhe individët mund të vetëpropozohen”, ka thënë ai.
Qorrolli ka theksuar se procesi do të vazhdojë me vlerësimin e kandidatëve, ndërsa ata që plotësojnë kushtet për emërim do t’i propozohen Kuvendit të Kosovës për votim në seancë plenare.
“Dhe më pas komisioni do të mblidhet për t’i shqyrtuar kandidaturat e secilit kandidat dhe do të bëjë intervistimin e tyre, dhe kandidatët të cilët janë të emërueshëm do t’ia propozojë Kuvendit për miratim në seancë plenare”, ka deklaruar Qorrolli.
Burimi: Dukagjini




