Bayern Munich është përçarë ditëve të fundit lidhur me situatën e Jamal Musialës, pa qenë ky i fundit fajtor për atë që po ndodh. Sot, drejtori i klubit, Max Eberl, bëri thirrje për unitet brenda klubit dhe kërkoi që të gjithë ta mbështesin 23-vjeçarin në mënyrën më të mirë të mundshme.

Musiala vuan nga një sëmundje neurologjike e pashërueshme, e cila mund të mbahet nën kontroll përmes medikamenteve.
“Ne duam që ky djalosh të ketë qetësi. Kjo është një tragjedi njerëzore që po zhvillohet”, deklaroi drejtuesi për Sky Sport DE para ndeshjes kundër Hamburgut.
“Po i japim hapësirë që të shkëputet nga gjithçka, të pushojë dhe të rikthehet edhe më i fortë”.
Musiala gjithashtu është lënë jashtë fushave ditëve të fundit për shkak të një lëndimi muskulor në kofshën e djathtë.
“Është një tjetër pengesë, por të gjithë do ta kalojmë së bashku. Të gjithë kemi të njëjtin qëllim: para së gjithash, ne e shohim Jamal Musialën si njeri. Është thënë tashmë mjaftueshëm”.
“Bayerni ka qenë gjithmonë i fortë kur qëndrojmë të bashkuar, e aq më tepër në momente të tilla. Të gjithë duam ta zgjidhim së bashku këtë situatë të vështirë”, shtoi Eberl.
Fjalët e Eberlit synojnë t’i japin fund polemikave rreth kësaj çështjeje, të paktën në aspektin mediatik, pas një vargu deklaratash të fundit nga figura të tjera të klubit./Telegrafi/





