Kërkesat e Moskës, ‘ofertat’ e Washingtonit dhe përfshirja e Evropës – çfarë sollën zhvillimet e fundit në negociatat për paqe në Ukrainë?

Kërkesat e Moskës, ‘ofertat’ e Washingtonit dhe përfshirja e Evropës – çfarë sollën zhvillimet e fundit në negociatat për paqe në Ukrainë?

Kërkesat e Moskës, ‘ofertat’ e Washingtonit dhe përfshirja e Evropës – çfarë sollën zhvillimet e fundit në negociatat për paqe në Ukrainë?

Përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë duket se kanë hyrë në një fazë të re.

Sponsor 3M Express

Kjo mund të thuhet së paku në bazë të lajmeve të fundit që kanë qarkulluar nga zhvillimet atje, me Shtetet e Bashkuara që po bëjnë edhe një përpjekje tjetër të ndërmjetësojnë një marrëveshje mes Kievit dhe Moskës.

Megjithatë, kërkesat e Rusisë dhe çështja të tjera kontestuese ndërmjet palëve vazhdojnë të mbeten pengesat kryesore.

Çështja e anëtarësimit në NATO

Në këtë drejtim, duhet të kujtojmë një zhvillim më të fundit që ka të bëjë me një kërkesë amerikane në drejtim të Ukrainës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se Uashingtoni ka hedhur për herë të parë idenë që Ukraina të heqë dorë nga Donbasi në këmbim të anëtarësimit në NATO.

Sipas tij, kjo çështje është ngritur gjatë diskutimeve për një zgjidhje të mundshme të konfliktit.

Zelensky ka theksuar se nuk mund ta marrë i vetëm një vendim të tillë dhe se çdo marrëveshje që prek territorin e vendit duhet të ketë miratimin e ukrainasve.

“Amerikanët shtruan pyetjen: ‘Po sikur Ukraina të anëtarësohet në NATO? A do të tërhiqej Ukraina nga Donbasi?’ Kjo ishte hera e parë që shtrohej një çështje e tillë”, u tha Zelensky gazetarëve të premten.

Zelensky shtoi se Ukraina po diskuton për “garanci specifike sigurie” nga NATO-ja dhe Bashkimi Evropian, dhe se ai do t’i pyeste ukrainasit nëse i pranojnë këto kushte, në rast se vendet perëndimore i konfirmojnë ato.

“Nuk kam të drejtë ta marr vetë atë vendim”, theksoi ai.

Kërkesat tjera dhe “oferta” e Rusisë

Por, propozimet që janë paraqitur nga negociatorët rusë në Abu Dhabi, shkojnë shumë përtej kërkesave territoriale ndaj Ukrainës.

Rusia kërkon gjithashtu që Ukraina të mbetet përgjithmonë jashtë NATO-s, ndërsa të mos lejojë vendosjen e bazave ushtarake të Aleancës në shtetet baltike – Estoni, Letoni dhe Lituani.

Dhe në kërkesat e raportuara përfshihet edhe kthimi i Finlandës në statusin e saj para anëtarësimit në NATO.

Këto propozime synojnë, sipas raportimeve, “krijimin e një rendi të ri të sigurisë në Evropë”.

Në këmbim të kërkesave të saj, Moska ka ofruar tërheqjen e armëve bërthamore nga Bjellorusia dhe heqjen dorë nga vendosja e raketave me rreze të mesme veprimi në këtë shtet.

Megjithatë, këto kërkesa janë raportuar nga Bild dhe nuk përbëjnë një marrëveshje të konfirmuar zyrtarisht nga palët.

Përfshirja e evropianëve

Në takimin e zhvilluar në Moskë mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe të dërguarve amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, u diskutua edhe mundësia e përfshirjes së drejtpërdrejtë të vendeve evropiane në negociatat e ardhshme.

Putin ka deklaruar se nuk është kundër dialogut me Evropën, por ka paralajmëruar se vendosja e trupave të huaja në Ukrainë pas një marrëveshjeje paqeje do të konsiderohej kërcënim nga Rusia dhe mund të çonte në rifillimin e luftës.

Ndryshe, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz kanë insistuar se kontinenti nuk mund të pranojë që e ardhmja e arkitekturës së tij të sigurisë të vendoset pa pjesëmarrjen e vendeve evropiane.

Macron ka theksuar se evropianët do të jenë ata që do të vendosin për sigurinë e tyre të ardhshme, ndërsa Zelensky ka kërkuar që përfaqësuesit evropianë të jenë pjesë e ekipit negociator dhe jo vetëm pjesëmarrës të veçantë.

Nga ana tjetër, Rusia vazhdon të kundërshtojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe kërkon një riorganizim më të gjerë të sigurisë në Evropë, duke synuar kufizimin e pranisë ushtarake të Aleancës në lindje të kontinentit.

Kjo është një prej arsyeve kryesore të mospajtimeve me vendet perëndimore, të cilat kundërshtojnë që Moska të ketë të drejtë të diktojë marrëveshjet e sigurisë së shteteve të tjera.

Një marrëveshje pothuajse me rezultate

Sidoqoftë, për një çështje duket se ka shpresë që një marrëveshje të arrihet së shpejti.

Bëhet fjalë për një dakordësi në parim për një shkëmbim të madh të të burgosurve mes Ukrainës dhe Rusisë.

Zelensky e ka cilësuar atë si shkëmbimin më të madh të këtij lloji që nga fillimi i luftës, duke e konsideruar një rezultat konkret të negociatave në Abu Dhabi.

Lufta vazhdon dhe një marrëveshje paqeje duket larg

Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve diplomatike, luftimet dhe sulmet vazhdojnë.

Gjatë ditëve të negociatave në Abu Dhabi, Rusia ka goditur disa rajone dhe infrastrukturën energjetike të Ukrainës, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike.

Në të njëjtën kohë, Ukraina ka intensifikuar sulmet ndaj rafinerive të naftës dhe objekteve të tjera strategjike në territorin rus.

Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se Rusia po pëson humbje shumë të mëdha në frontin e luftës, duke pretenduar se numri i ushtarëve rusë të vrarë ose të plagosur rëndë arrin në mbi 40 mijë në muaj.

Ai ka akuzuar gjithashtu Moskën për sulme të vazhdueshme ndaj qyteteve dhe infrastrukturës kritike ukrainase, veçanërisht përpara dimrit.

Pavarësisht intensifikimit të diplomacisë, një marrëveshje paqeje mbetet larg.

Çështja e territoreve, statusi i ardhshëm i Ukrainës ndaj NATO-s, garancitë e sigurisë dhe kërkesat e Rusisë për një rend të ri të sigurisë evropiane janë pengesat kryesore.

Takimet e ardhshme pritet të tregojnë nëse palët janë të gatshme të bëjnë kompromiset e nevojshme apo nëse lufta do të vazhdojë pa një perspektivë të qartë për përfundimin e saj. /Telegrafi/

Lexo edhe

“Ke rënë pre e propagandës së kuqe”, debat i pazakontë për energjinë mes dy deputetëve të LDK-së

“Ke rënë pre e propagandës së kuqe”, debat i pazakontë për energjinë mes dy deputetëve të LDK-së

Ferne McCann zbulon se kishte pasur marrëdhënie intime me Russell Brand kur ishte 18 vjeçe

Ferne McCann zbulon se kishte pasur marrëdhënie intime me Russell Brand kur ishte 18 vjeçe

“E përzunë si një copë mbeturine”, ish-lojtari i njohur shpërthen ndaj Real Madridit për Xabi Alonson

“E përzunë si një copë mbeturine”, ish-lojtari i njohur shpërthen ndaj Real Madridit për Xabi Alonson