Shtetet e Bashkuara kanë zhvendosur avionët ushtarakë amerikanë nga një bazë ajrore në Britaninë e Madhe, pas një kërcënimi të lidhur me Iranin. Lajmi është raportuar nga gazeta amerikane “The Wall Street Journal”, e cila citon burime të njohura me çështjen.

Bëhet fjalë për bazën ushtarake britanike RAF Mildenhall, e cila përdoret nga Forcat Ajrore të SHBA-së. Sipas WSJ, autoritetet amerikane janë duke shqyrtuar natyrën e saktë të kërcënimit ndaj kësaj baze. Të dhënat e gjurmimit të fluturimeve, të analizuara nga CNN, tregojnë se të hënën janë zhvendosur 10 avionë amerikanë të furnizimit me karburant në ajër, të tipit KC-135 Stratotanker.
Katër prej tyre u transferuan në bazën ajrore Spangdahlem në Gjermani, një në bazën Ramstein, gjithashtu në Gjermani, katër në bazën Moron në Spanjë dhe një në aeroportin Glasgow Prestwick në Skoci. Paralelisht me zhvendosjen e avionëve, autoritetet amerikane kanë rritur nivelin e sigurisë në bazat RAF Mildenhall dhe RAF Lakenheath në kategorinë FPCON Charlie.
Sipas “The Wall Street Journal” dhe medias së specializuar për çështjet e mbrojtjes “The War Zone”, duke cituar një zyrtar amerikan, ky është niveli i dytë më i lartë në sistemin e mbrojtjes së forcave të Pentagonit dhe nënkupton se ekziston mundësia e një akti terrorist ose të një sulmi të synuar.
“Ne marrim masa paraprake për të garantuar që avionët, personeli dhe instalimet tona të mbeten të sigurta dhe të mbrojtura”, tha një zyrtar amerikan për CNN.
Ndërkohë, një zyrtar tjetër nga Komanda Europiane e SHBA-së deklaroi se avionët ushtarakë amerikanë zhvendosen rregullisht mes bazave dhe pikave të ndryshme të operimit për arsye të ndryshme, përfshirë stërvitjet dhe nevojat reale operacionale.
“Për arsye të sigurisë operacionale, nuk do të japim informacione të mëtejshme mbi lëvizjen e mjeteve ushtarake”, theksoi zyrtari.
Nga ana tjetër, një zëdhënës i Ministrisë britanike të Mbrojtjes deklaroi se autoritetet britanike “nuk komentojnë në mënyrë rutinë aktivitetet e vendeve të tjera”. Ai shtoi se “avionët dhe mjetet e tjera zhvendosen rregullisht në përputhje me kërkesat operacionale”.
Zhvendosja e avionëve vjen pas një tjetër kërcënimi të lidhur me Iranin, të raportuar muajin e kaluar ndaj bazës ajrore britanike RAF Fairford. Kjo bazë ishte përdorur nga bombarduesit amerikanë B-1 për të kryer sulme ndaj Iranit. Megjithatë, avionët u tërhoqën për arsye sigurie, pak kohë pasi pesë persona u arrestuan në orët e para të mëngjesit të 27 shtatorit, jashtë bazës ushtarake.
Prokuroria britanike ngriti akuza ndaj dy shtetasve britanikë në bazë të Ligjit për Sigurinë Kombëtare (National Security Act), në lidhje me incidentin jashtë RAF Fairford. Policia britanike bëri të ditur se dy personat dyshoheshin për ndihmë ndaj Iranit. Deri më tani, autoritetet amerikane nuk kanë bërë publike hollësi të mëtejshme mbi natyrën e kërcënimit ndaj bazës RAF Mildenhall.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




