Një këngë nacionaliste serbe e interpretuar gjatë hapjes së Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, në organizim të Komisionit Evropian, ka nxitur reagime në Kosovë.

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, e ka cilësuar këtë veprim si fyerje të rëndë ndaj shtetit të Kosovës, duke kërkuar nga Brukseli sqarim për atë që e quan lëshim.
Në reagimin e tij, Gjini ka kritikuar edhe diplomacinë e Qeverisë së Kosovës, duke e lidhur këtë incident me raportet e dëmtuara me aleatët dhe mungesën e përfaqësimit të Kosovës në tavolinat kryesore ndërkombëtare.
Ai ka kërkuar reagim urgjent të institucioneve të Kosovës në rrugë zyrtare, duke theksuar se pasojat e, siç u shpreh, papërgjegjësisë së udhëheqjes, i paguan i gjithë vendi.
Postimi;
Të lejosh këngën nacionaliste serbe në hapjen e Forumit të Zgjerimit të BE-së, nën organizimin e Komisionit Evropian dhe Marta Kos, është fyerje e rëndë ndaj shtetit tonë. Brukseli duhet të japë sqarim për këtë lëshim.
BE sonte tregoi se nuk po e merr seriozisht Kosovën, e kjo nuk ndodh rastësisht. Kur vetë qeveria jonë sillet me papërgjegjësi dhe nuk e merr seriozisht shtetin e vet, nuk mund të presim që të na marrin seriozisht të tjerët.
Me diplomaci të dështuar, me raporte të prishura me aleatët dhe me Kosovën e lënë jashtë tavolinave kryesore, kjo qeveri ia ka hapur derën provokimeve të tilla në mes të Brukselit.
Shteti duhet të reagojë urgjentisht në rrugë zyrtare dhe t’i japë fund kësaj loje me fatin e vendit, sepse kur udhëheqja jonë e trajton shtetin me amatorizëm, çmimin e paguan krejt Kosova.





