Banorët e “Banesave të Princeshës” në Fushë Kosovë pa rrymë stabile që nga e shtuna, ankohen për mungesë reagimi nga KEDS-i

Banorët e “Banesave të Princeshës”, në rrugën “Nëna Terezë” në Fushë Kosovë, po përballen me probleme të vazhdueshme me furnizimin me energji elektrike që nga orët e hershme të mëngjesit të së shtunës.
Një qytetar i është drejtuar Gazetës Sinjali, duke treguar se furnizimi me rrymë është jostabil, pasi njëra fazë mungon plotësisht ose ka tension shumë të dobët, ndërsa faza tjetër ka luhatje të shpeshta.
Sipas tij, kjo situatë po ua vështirëson jetesën banorëve, sidomos në këto ditë të ftohta me borë, kur ngrohja është e domosdoshme. Ai thekson se në këtë bllok të banesave jetojnë edhe fëmijë, të moshuar dhe persona të sëmurë, të cilët po përballen me vështirësi për shkak të mungesës së furnizimit të rregullt me energji elektrike.
Qytetari shprehet i shqetësuar edhe për pajisjet elektroshtëpiake, pasi luhatjet e tensionit mund t’i dëmtojnë ato.
Ai thotë se banorët kanë kontaktuar vazhdimisht KEDS-in për ta raportuar problemin, por përgjigjja që kanë marrë deri më tani është se rasti është hapur, pa pasur zgjidhje konkrete.
Banorët kërkojnë nga KEDS-i që të intervenojë sa më shpejt për ta rregulluar furnizimin me energji elektrike dhe për t’u mundësuar atyre ngrohjen dhe përdorimin e sigurt të pajisjeve shtëpiake.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





