Gripi po merr hov në Maqedoni. Vetëm brenda një jave, janë raportuar 154 raste me grip dhe sëmundje të ngjashme me gripin, krahasuar me 112 javën e kaluar. Numri më i lartë i rasteve është në Tetovë, Shkup dhe Kumanovë, sipas të dhënave të fundit nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP).

Krahasuar me të njëjtën javë të vitit të kaluar, kur u regjistruan 117 raste, numri është 31.6 përqind më i lartë.
Edhe pse aktiviteti i gripit është aktualisht i ulët, nga ISHP thonë se “është arritur pragu epidemiologjik për hyrjen në sezonin e gripit”.
Në periudhën nga 9 deri më 15 nëntor, 49 raste u raportuan në Tetovë, 38 në Shkup dhe 19 në Kumanovë. Numri më i madh i pacientëve, ose 102, janë të moshës 15 deri në 64 vjeç, 30 janë fëmijë nën 14 vjeç dhe 22 janë persona mbi 65 vjeç.
Që nga fillimi i sezonit, janë regjistruar 609 raste, krahasuar me 571 në të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar. Vetëm në Tetovë, deri më tani janë raportuar 198 raste.
Nga 64 mostrat e paraqitura në laboratorin e ISHP javën e kaluar, katër rezultuan pozitive për gripin e tipit A, dhe tre për koronavirusin. Që nga fillimi i sezonit, 22 mostra pozitive të gripit janë konfirmuar nga laboratori.
Ndërkohë, Klinika e Sëmundjeve Pulmonare në Kozle po kryen deri në 150 ekzaminime në ditë për sëmundjet e frymëmarrjes, dhe rreth pesëdhjetë fëmijë po trajtohen në spital. Pacienti më i ri i shtruar në spital është një foshnjë 40 ditëshe. Dy fëmijë kanë konfirmuar gripin, por asnjëri nuk ka një pamje klinike të rëndë.
“Ata që janë të shtruar në spital kanë pneumoni, bronkit obstruktiv”, tha Boshkovska, drejtoreshë e Klinikës Kozle, më 19 nëntor./Telegrafi/





