Ish-presidentja Vjosa Osmani është takuar me senatorët Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, gjatë vizitës së tyre në Kosovës.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Osmani e cila theksoi se senatorja Shaheen ka dëshmuar se është një mbështetëse e palëkundur e Kosovës.
Mes tjerash, ajo kërkoi mbështetjen e senatorëve për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO dhe për nisjen e dialogut strategjik me ShBA-të.
“I falënderova senatorët për një sërë nismash që kanë mbështetur dhe shtyrë përpara në Senatin amerikan, në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin tonë. Kërkova mbështetjen e tyre për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO dhe për nisjen e dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, proces të cilin e patëm iniciuar zyrtarisht gjatë mandatit tim presidencial”, ka shkruar deputetja e LDK-së në Facebook, transmeton Klankosova.tv.
Osmani po ashtu tha se ka kërkuar mbështetje në mbrojtje të së vërtetës për luftën çlirimtare të Kosovës.
“Njëkohësisht, duke pasur parasysh përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për të përhapur propagandë dhe për të rishkruar historinë, kërkova mbështetjen e tyre në mbrojtje të së vërtetës për luftën çlirimtare të Kosovës. Nuk duhet të lejojmë kurrë që viktima, populli i Kosovës, dhe agresori, regjimi serb, të barazohen apo të vendosen në të njëjtin rrafsh moral. E vërteta historike nuk mund të relativizohet dhe drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi shtrembërimin e saj”.
“Po ashtu, i kundërshtova me argumente historike, juridike dhe politike pretendimet e rreme të propagandës serbe se në Kosovë ushtrohet represion ndaj të krishterëve. Kjo narrativë e rrezikshme, që po promovohet me këmbëngulje nga qarqe në Serbi, duhet të përballet pa ndërprerje me fakte, të vërteta dhe argumente nga çdo institucion i Republikës së Kosovës. Liria fetare, bashkëjetesa dhe respektimi i të drejtave të të gjithëve janë vlera të Kosovës që nuk mund të njollosen nga propaganda”, ka shkruar Osmani./Klankosova.tv




