Meta ka njoftuar se do të zgjerojë globalisht përdorimin e inteligjencës artificiale për të vlerësuar moshën e përdoruesve në Instagram, me synimin që më shumë adoleshentë të përfshihen automatikisht në llogaritë me mbrojtje të posaçme.

Kompania synon të identifikojë përdoruesit nën moshën 18-vjeçare edhe në rastet kur ata kanë deklaruar një datëlindje të rreme për t’u paraqitur si të rritur, transmeton Telegrafi.
Instagram përdor llogaritë për adoleshentë, të cilat ofrojnë përmbajtje të përshtatshme për moshën, kufizojnë personat që mund të ndërveprojnë me ta dhe përfshijnë mjete për menaxhimin e kohës së kaluar në platformë.
Në maj, Meta kishte bërë të ditur se do të përdorte teknologjinë e inteligjencës artificiale për të identifikuar përdoruesit nën 13 vjeç dhe për të siguruar që ata të moshës 13 deri në 17 vjeç të kenë llogari me kufizimet përkatëse.
Tani, kompania thotë se rezultatet fillestare janë inkurajuese, pasi teknologjia ka ndihmuar në vendosjen e më shumë adoleshentëve nën mbrojtjet e përshtatshme për moshën.
Ndërkohë, prindërit në SHBA do të marrin gjatë këtij muaji njoftime në Instagram, përmes një videoje që shpjegon mënyrën se si funksionon sistemi.
Videoja do t’i drejtojë ata edhe te një artikull informues, i përgatitur nga Larry Magid, ekspert i sigurisë në internet dhe drejtues i organizatës ConnectSafely.
Artikulli shpjegon qasjen e Metës për verifikimin e moshës, përfshirë masat për të mos lejuar fëmijët nën 13 vjeç në platformat e saj dhe mënyrat se si prindërit mund të ndihmojnë që adoleshentët të deklarojnë moshën e saktë.
Meta ka bërë të ditur se mbrojtjet e njëjta do të shtrihen edhe në Threads dhe Facebook. /Telegrafi/




