Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar të premten pasdite një letër urimi nga kryeministri i Hungarisë, Péter Magyar, me rastin e marrjes së mandatit të ri qeverisës.
Letra iu dorëzua Kurtit nga ambasadori hungarez në Kosovë, László István Dux.

Në letrën e urimit, Magyar vlerësoi rolin e Kosovës në ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar rëndësinë e një rajoni të zhvilluar për Hungarinë dhe Evropën.
“Dua t’ju shpreh urimet më të sinqerta për zgjedhjen tuaj Kryeministër i Republikës së Kosovës. Ne njohim rolin kyç të Kosovës në stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Andaj, jemi të bindur që një Ballkan Perëndimor prosperues ka rëndësi jetike për Hungarinë dhe mbarë kontinentin evropian”, shkroi Magyar.
Ai gjithashtu rikonfirmoi përkushtimin e Hungarisë për sigurinë e Kosovës, përmes pjesëmarrjes në misionin e KFOR-it, si dhe mbështetjen për integrimin evropian të vendit.
“Në këtë frymë, më lejoni të ritheksoj se Hungaria mbetet e përkushtuar për të kontribuuar për sigurinë e Kosovës nëpërmjet pjesëmarrjes në misionin e KFOR-it dhe për të mbështetur vendin tuaj në rrugën evropiane”, shkroi kryeministri hungarez.
Burimi: Dukagjini




