Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti ka reaguar pas deklaratës së zëvendëskryeministrit serb, Ivica Daçiq, i cili para pak ditësh tha se ‘flamuri serb do të valojë në Prizren’.

Hoti përmes një postimi në Facebook ka ndarë një fotografi tek busti i babait të tij, Ukshin Hoti nga ku i bëri thirrje Daçiqit që të vijë në Prizren duke thënë se burgjet e Kosovës e presin atë.
Ai tha se djemtë e vajzat në Policinë e Kosovës e presin atë, duke ia kujtuar atij se drejtësia ka llogari të pambyllura me të.
“Daçiq, eja në Prizren! Të presim!Merre edhe Radoiçiqin me vete, se me ty e me disa si ti s’kemi përfunduar punë ende. Janë do djem e vajza në Policinë e Republikës së Kosovës që ju presin. Prizreni është Kosovë. Kosova është Republikë. Dhe etjes suaj për pushtim, masakra e gjenocid i është dhënë fund në vitin 1999, nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me mbështetjen vendimtare të NATO-s! Por ti eja, se burgjet e Kosovës të presin, drejtësia ka hesape të pambyllura me ty”, ka shkruar Hoti.




