Kryetarja e sapozgjedhur e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen Penale të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NPKOK), Iskra Haxhi Vasileva, tha se prioritetet e saj kryesore do të jenë ndjekja penale efikase dhe shfrytëzimi maksimal i burimeve të disponueshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Pasi dha një deklaratë solemne para Këshillit të Prokurorëve Publikë sot për marrjen e detyrës, Haxhi Vasileva theksoi se prioritetet e saj tashmë janë përcaktuar dhe se situata në fushën e kompetencave të Prokurorisë është e njohur mirë për të.
“Prioritetet janë të qarta, ndjekje penale efikase, shfrytëzim maksimal i burimeve që na janë vënë në dispozicion. Jemi të vetëdijshëm se ato janë të kufizuara në disa aspekte, por do të përpiqemi të sigurojmë më shumë burime dhe t’i përdorim ato ekzistuese sa më efikase të jetë e mundur, me qëllim që të arrijmë rezultate më të suksesshme”, deklaroi Haxhi Vasileva.
Duke iu referuar vlerësimeve në raportin e fundit të Komisionit Evropian se nuk ka përparim në luftën kundër korrupsionit, drejtuesja e re e Prokurorisë Publike tha se është e vetëdijshme për sfidat që paraqet konteksti aktual.
“Do të përpiqemi të ofrojmë ndjekje penale më efikase dhe më vendimtare aty ku është më e nevojshme, pra në raste dhe situata që prekin vërtet interesin publik dhe janë të rëndësishme për të gjithë ne, për qytetarët dhe për shoqërinë në tërësi”, tha Haxhi Vasileva.
Haxhi Vasileva u zgjodh drejtuese e PTHP NPKOK-së në zgjedhjet e mbajtura më 28 tetor të këtij viti, duke fituar 64 vota nga gjithsej 171 fletëvotime të vlefshme. Pesë prokurorë publikë kandiduan për këtë pozicion: Faton Azizi, Trajçe Pelivanov, Lidija Raiçeviq, Iskra Haxhi Vasileva dhe Jovan Cvetanovski./Telegrafi/





