Sulmuesi i Bayern Munichut, Harry Kane, ka zbuluar ngjashmëritë që sheh mes stilit të tij të lojës dhe atij të ish-sulmuesit të Real Madridit, Karim Benzema.

Kapiteni i Anglisë e vlerëson lart francezin, duke theksuar se mënyra se si ai kontribuon në lojën e skuadrës shkon përtej rolit tradicional të një sulmuesi që qëndron brenda zonës.
“Karim është një lojtar i jashtëzakonshëm. Gjithmonë kam qenë admirues i madh i tij. Ajo që arriti te Real Madridi në vitin 2022 ishte vërtet mbresëlënëse”.
“Ai di të zbresë në mesfushë dhe të luajë pothuajse si një numër dhjetë, duke diktuar ritmin e lojës dhe duke u shfaqur në zonë në momentin e duhur”, deklaroi Kane.
Sulmuesi anglez pranoi se, megjithëse kanë karakteristika të ndryshme fizike, të dy kanë shumë ngjashmëri në inteligjencën e lojës, gjetjen e hapësirave dhe dëshirën për të ndihmuar bashkëlojtarët.
“Ne kemi profile fizike paksa të ndryshme, por për sa i përket inteligjencës futbollistike, gjetjes së hapësirave të lira dhe dëshirës për t’i ndihmuar lojtarët përreth nesh, shoh shumë ngjashmëri në mënyrën se si luajmë. Të dy kemi treguar se nuk është e domosdoshme të qëndrosh gjithmonë brenda zonës së penalltisë për të shënuar gola”, u shpreh ai.
Kane shpjegoi se shpeshherë gjen hapësira për të rrezikuar pikërisht kur tërhiqet më prapa, pasi në atë zonë nuk përcillet aq ngushtë nga mbrojtësit kundërshtarë.
“Shpesh krijoj raste kur zbres më thellë, sepse aty nuk më markojnë aq ngushtë. Golat vijnë kur tërhiqem prapa dhe i jap mundësi aksionit të zhvillohet. E gjej veten në zonën e numrit dhjetë dhe, kur kundërshtari mbrohet thellë, godas nga skaji i zonës. Kjo është një prej pikave të mia më të forta”, shtoi anglezi.
Në fund, Kane përmendi edhe sezonin e kaluar si shembullin më të mirë të këtij stili të lojës, duke pretenduar se kishte shënuar 73 gola, pothuajse dyfishin e numrit që kishte regjistruar në cilindo sezon tjetër të karrierës së tij./Telegrafi/





