Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti e futi ligjin dhe vendin në kurth.
Në një konferencë për media, deputeti Haradinaj tha se Kurti, duke mos e votuar projektligjin për Specialen në lexim të dytë, i ka dhënë një goditje të rëndë UÇK-së.
“Ky ligj nuk është i një partie politike, por i 91 deputetëve të kësaj legjislature që e kanë votuar në lexim të parë. Është e pandershme të lihet në gjysmë ky ligj për mbrojtjen e udhëheqësve të UÇK-së. Është koha që të bashkohemi e të mos turpërohemi para historisë. Për këtë na ka besuar populli. Mirëpo, sikurse e pamë, sot ranë maskat. Kurti e kurtheu edhe ligjin edhe vendin. E futi në kurth. Kurti i dha një goditje të rëndë UÇK-së, duke e lënë ligjin në gjysmë në një moment kritik. Dhe Kurti po e çon vendin në zgjedhje”.
“I njëjti, Kurti, që tri herë para kësaj here i fitoi zgjedhjet dhe prapë e çoi vendin në zgjedhje. Kjo është hera e katërt që po e çon vendin në zgjedhje. Sa herë e ka çuar vendin në zgjedhje e ka lënë qytetarin pa zgjidhje të rëndësishme për jetën e tij. I ka munguar institucionet, qeverinë, kujdesin dhe shumë probleme që e rëndojnë qytetarin e Kosovës. E ka lënë Kosovën pa të arritura shumë të rëndësishme, sikurse anëtarësimi në institucionet euroatlantike, dhe procese tjera të rëndësishme të brendshme, edhe një herë po e çon vendin në zgjedhje”.
Sipas tij, kryeministri Albin Kurti po do që ta zhbëjë Kosovën, por shtoi se “nuk ka me ia arrit”.
“Kjo shpjegohet kështu. Ky po don me ia dhënë edhe një goditje Kosovës, po punon me e zhbë Kosovën, të tillë çfarë e kemi dhe e kemi mbërri me shumë mund, përfshirë edhe me gjak e me vuajtje të mëdha. nuk ka me ia arrit. Kosova është më e madhe se ky keqbërës patologjik i cili kthehet në vazhdimësi në veprat e tij të këqija për vendin”.
“Ne si Aleancë, kemi qenë të kujdesshëm dhe jemi munduar ta shtrijmë dorën në mënyrë që të mos turpërohemi para historisë. por kjo që po ndodh është e pafalshme, si për historinë, si për të gjithë ata që e quan me zemër Kosovën”, tha Haradinaj. /Klankosova.tv




