Një 21-vjeçar dyshohet se ka tentuar ta grabisë pompën e derivateve “Exfis” në Prishtinë, ku ka hyrë i maskuar dhe me thikë në dorë, duke kërcënuar dy punëtorë që t’ia dorëzonin paratë. Por, kur punëtorët i kanë thënë se nuk kishin para, ai ka hequr maskën dhe ka pretenduar se gjithçka ishte vetëm shaka. Pavarësisht rastit të raportuar si tentimgrabitje, i dyshuari është liruar pas intervistimit, raporton Gazeta Sinjali.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së premtes, më 13 nëntor, rreth orës 21:30, në pompën e derivateve “Exfis”, në rrugën “Lidhja e Lezhës” në Prishtinë.
Sipas burimeve të Sinjalit, i dyshuari është Muhamed Mehmeti, 21 vjeçar, ndërsa dy punëtorët që janë përballur me kërcënimet janë Zef Gjokaj dhe Naim Kalaja.
Me maskë në fytyrë dhe thikë në dorë, Mehmeti dyshohet se ka hyrë në hapësirën ku ndodheshin punëtorët dhe ka kërkuar vazhdimisht që t’ia dorëzonin paratë.
“Qitni paret!”, dyshohet se u ka bërtitur ai disa herë, duke i kanosur me thikë.
Njëri nga punëtorët ka deklaruar se i dyshuari e kishte kapur për dore dhe ia kishte drejtuar thikën, duke e vënë përballë një kërcënimi të drejtpërdrejtë.
Por situata ka marrë një kthesë të pazakontë kur punëtorët i kanë thënë se nuk kishin para.
I dyshuari ka hequr maskën dhe ka pretenduar se po bënte shaka, përpara se të largohej nga pompa e derivateve pa arritur të merrte para apo sende të tjera.
Policia është njoftuar pak minuta më vonë dhe një patrullë ka dalë në vendin e ngjarjes.
Derisa zyrtarët policorë po merreshin me rastin, i dyshuari i ka vërejtur nga larg, është kthyer dhe është paraqitur vullnetarisht para tyre.
Gjatë veprimeve hetimore, Policia ka sekuestruar thikën që dyshohet se është përdorur në incident.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se Mehmeti është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ku ka pranuar se kishte marrë një thikë nga banesa e tij, kishte shkuar në pompën e derivateve dhe u kishte kërkuar para punëtorëve.
Pas njoftimit për rastin dhe veprimet hetimore, prokurorja kujdestare ka udhëzuar që çështja të iniciohet si “Grabitje në tentativë”.
Megjithatë, ndonëse dy punëtorët kishin raportuar kërcënime me thikë dhe njëri prej tyre kishte deklaruar se ishte kapur për dore nga i dyshuari, Prokuroria ka vendosur që 21-vjeçari të lirohet pas intervistimit.
Rasti do të vazhdojë të trajtohet në procedurë të rregullt.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





