Dogana e Kosovës ka parandaluar kontrabandimin e rreth 8.27 kilogramëve argjend në Pikën e Kalimit Kufitar në Merdare.
Sipas njoftimit të Doganës, argjendi i padeklaruar është zbuluar të shtunën, gjatë kontrollit të një furgoni me targa të huaja, i cili po udhëtonte në tranzit nga Belgjika drejt një vendi fqinj.

Automjeti ishte përzgjedhur për kontroll me skaner, pasi zyrtarët doganorë kishin ngritur dyshime gjatë kontrollit fillestar. Pas analizimit të imazheve, janë identifikuar parregullsi në ngarkesë, çka ka çuar në kontrollin e detajuar.
Gjatë kontrollit, zyrtarët kanë zbuluar se argjendi ishte fshehur në pjesën e sipërme të një lavatriçeje të përdorur dhe ishte kamufluar në atë mënyrë që mund të identifikohej vetëm pas çmontimit të pajisjes.
Sasia e sekuestruar përkohësisht përbëhet nga gjashtë monedha investuese argjendi, me peshë nga një kilogram secila, një lingotë argjendi prej një kilogrami dhe 40 monedha të tjera, me peshë nga 31.1 gramë secila.
“Pesha e përgjithshme e argjendit të zbuluar është rreth 8.274 kilogramë, ndërsa vlera e tij e përafërt në treg vlerësohet nga 8,000 deri në 10,000 euro”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Kontrolli është realizuar nga zyrtarët doganorë, në bashkëpunim me zyrtarët përkatës dhe me asistimin e Policisë së Kosovës.
Dogana ka bërë të ditur se malli është sekuestruar përkohësisht, ndërsa rasti është proceduar për hetime të mëtejshme dhe zhvillimin e procedurave përkatëse kundërvajtëse doganore.
Burimi: Insajderi





