Mianmari ka kryer gjenocid ndaj pakicës Rohingya, ka vendosur të enjten Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), në një vendim historik që shënon herën e parë që kjo gjykatë konstaton se një shtet ka kryer krimin e gjenocidit.

Vendimi u miratua me nëntë vota pro dhe gjashtë kundër, transmeton Telegrafi.
“Republika e Bashkimit të Mianmarit ka kryer gjenocid ndaj grupit Rohingya në pjesën veriore të shtetit Rakhine, duke shkelur detyrimet e saj sipas Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit”, deklaroi presidenti i GJND-së, Yuji Iwasawa.
Ai urdhëroi gjithashtu Mianmarin që të kompensojë komunitetin Rohingya për dëmet e shkaktuara nga shkeljet e konstatuara, si pasojë e operacionit të dhunshëm ushtarak të vitit 2017. Kompensimi duhet të mbulojë dëmet që nuk mund të riparohen përmes rikthimit të gjendjes së mëparshme.
Duke reaguar ndaj vendimit, sekretarja e përgjithshme e organizatës Amnesty International, Agnès Callamard, e cilësoi atë si një moment historik për drejtësinë.
“Ky është konstatimi i qartë i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Pas vitesh mohimi, pandëshkueshmërie dhe shtypjeje të së vërtetës, ky vendim përbën një njohje historike dhe autoritative të mizorive të kryera ndaj Rohingyave, si dhe një moment të rrallë drejtësie për të mbijetuarit, viktimat dhe familjet e tyre”, deklaroi Callamard. /Telegrafi/





