Gjobitet “Sapphire Med” në Prishtinë, mbjellte flokë dhe ofronte PRP e laser pa licencë

Gjobitet “Sapphire Med” në Prishtinë, mbjellte flokë dhe ofronte PRP e laser pa licencë

Gjobitet “Sapphire Med” në Prishtinë, mbjellte flokë dhe ofronte PRP e laser pa licencë

Inspektorati Shëndetësor i Ministrisë së Shëndetësisë ka dënuar me 3 mijë euro gjobë institucionin privat shëndetësor “Sapphire Med L.L.C”, ambulancë specialistike e dermatologjisë, që vepron në rrugën “Sofokliu” në Prishtinë.

Sponsor 3M Express

Sipas vendimit që Insajderi e ka siguruar, gjoba është shqiptuar më 18 mars 2026, pas një inspektimi të planifikuar të realizuar në këtë klinikë në po këtë vit.

Institucioni ka si themelues shtetasin Emir Kaya.

Në vendim thuhet se gjoba është shqiptuar për ofrimin e shërbimeve shëndetësore për të cilat klinika nuk kishte licencë nga Divizioni për Licencim dhe Akreditim i Ministrisë së Shëndetësisë.

“Institucionit privat shëndetësor ‘Sapphire Med L.L.C’ Ambulancë Specialistike e Dermatologjisë, me themelues z. Emir Kaya, në Rr. Sofokliu, 70, Prishtinë, për ofrim të shërbimeve shëndetësore të Dermatologjisë, të pa licencuara nga Divizioni për Licencim dhe Akreditim të institucioneve private shëndetësore, të Ministrisë së Shëndetësisë (…) i shqiptohet dënimi me gjobë në vlerë prej 3000 € (tre mijë) Euro”, thuhet në vendimin që e ka parë Insajderi.

Klinika kishte afat prej 15 ditësh nga pranimi i vendimit për ta paguar gjobën, me mundësi të përfitimit të lirimit prej 50 për qind nëse pagesa bëhej brenda këtij afati. Ndërsa, për të ushtruar ankesë kishte afat prej 30 ditësh.

Shërbimet mjekësore ofroheshin nga persona të palicencuar

Gjatë inspektimit, zyrtarët shëndetësorë kanë konstatuar se në klinikë nuk ndodhej asnjëri nga dy profesionistët shëndetësorë të regjistruar dhe të licencuar për këtë institucion.

Në momentin e kontrollit mungonin specialistja e dermatovenerologjisë, Dr. Dafina Krasniqi, dhe infermierja e përgjithshme, Seniha Ibrahimi.

Ndërkohë, sipas vendimit, shërbimet shëndetësore po ofroheshin nga tre persona të tjerë: Lorita Limani, Fikrete Lushtaku dhe Eren Turk, të cilët nuk figuronin si staf profesional i licencuar apo i aprovuar nga Ministria e Shëndetësisë për këtë ambulancë.

Për dy prej tyre, Lorita Limanin dhe Eren Turkun, gjatë inspektimit nuk është prezantuar as dokumentacioni që do të dëshmonte licencimin e tyre profesional.

“Në këtë institucion privat shëndetësor shërbimet shëndetësore ofroheshin edhe nga znj. Lorita Limani (nuk na u prezantua licenca e saj gjatë inspektimit dhe as deri në momentin e përpilimit të këtij raporti), znj. Fikrete Lushtaku (…) dhe z. Eren Turk, për të cilin nuk na prezantuan asnjë dokumentacion, mirëpo që të tre kanë ofruar shërbime shëndetësore duke mos qenë të licencuar nga Divizioni për Licencim dhe Akreditim nga Ministria e Shëndetësisë si kuadër profesional i këtij institucioni privat shëndetësor”, thuhet në dokumentin.

Mbjellje flokësh pa identifikimin e mjekut, PRP dhe laser pa licencë

Parregullsi janë evidentuar edhe në shërbimet që ofroheshin në këtë klinikë.

Nga kontrolli i dosjeve të pacientëve dhe i fletores së punës, Inspektorati ka konstatuar se në “Sapphire Med” kryheshin trajtime me plazmë të pasur me trombocite (PRP), si dhe largimi i tatuazheve me laser, ndonëse për këto shërbime klinika nuk kishte licencë nga Ministria e Shëndetësisë.

“Nga të dhënat e hasura nga dosjet e pacientëve, fletorja e punës së institucionit, u pa se në këtë institucion privat shëndetësor ‘Sapphire Med L.L.C’, janë kryer shërbime të PRP dhe largimin e tatuazheve me laser, shërbime këto të ofruara në këtë institucion privat shëndetësor duke mos qenë të licencuara”.

Probleme janë evidentuar edhe në dokumentimin e ndërhyrjeve për mbjelljen e flokëve.

Sipas vendimit, në dosjet e pacientëve që i ishin nënshtruar këtyre ndërhyrjeve nuk figuronin emri dhe mbiemri i mjekut që i kishte kryer ato, nënshkrimi apo faksimili i tij.

“Bazuar në dosjet e pacientëve u konstatua se për shërbimin shëndetësor mbjellje e flokëve në dosjet e pacientëve nuk figuron askund emri dhe mbiemri i mjekut, nënshkrimi dhe as faksimili i mjekut që ka ofruar shërbimin shëndetësor”, ceket në vendimin e MSh-së.

Inspektorati ka vlerësuar se kjo përbën shkelje të dispozitave të Ligjit për Shëndetësi.

Dokumentacioni në gjuhën turke dhe regjistri i pacientëve i papërditësuar

Gjatë kontrollit janë evidentuar edhe parregullsi të tjera në funksionimin e klinikës.

Sipas vendimit, “Sapphire Med” nuk e respektonte orarin e punës të deklaruar dhe të licencuar në Ministrinë e Shëndetësisë. Klinika ishte e autorizuar të punonte të hënave, të mërkurave dhe të premteve, nga ora 10:00 deri në 16:00, por inspektorët kanë konstatuar se shërbime ofroheshin edhe në ditët e tjera.

Po ashtu, regjistri i pacientëve për dermatologji nuk ishte plotësuar që nga 31 janari 2025.

Një tjetër parregullsi e evidentuar kishte të bënte me dokumentacionin e klinikës. Inspektorët kanë gjetur se një pjesë e madhe e dokumenteve ishte përpiluar në gjuhën turke, e jo në njërën nga gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës.

Në vendim thuhet gjithashtu se pajisjet mjekësore dhe kuadri profesional nuk i plotësonin kushtet e përcaktuara me Udhëzimin Administrativ, ndonëse gjatë aplikimit për licencim klinika kishte deklaruar se i përmbushte ato.

“Regjistri i pacientëve për shërbimin e Dermatologjisë (…) nuk plotësohej me rregull, (nuk ishin evidentuar pacientët që nga data 31.01.2025)”, si dhe “një pjesë relativisht e madhe e dokumentacionit ishte në gjuhën turke dhe jo në gjuhë zyrtare të Republikës së Kosovës”.

Gazeta Insajderi i ka dërguar pyetje klinikës “Sapphire Med L.L.C”, duke kërkuar sqarime për shërbimet e ofruara pa licencë, angazhimin e stafit të paautorizuar dhe parregullsitë e tjera të evidentuara nga Inspektorati Shëndetësor.

Klinika është pyetur edhe nëse i ka përmirësuar këto shkelje, nëse e ka paguar gjobën prej 3 mijë eurosh dhe nëse ka ushtruar ankesë ndaj vendimit.

Deri në publikimin e këtij artikulli, klinika nuk është përgjigjur./Insajderi.org

Lexo edhe:

Burimi: Insajderi

Lexo edhe

Gjykata në Beograd lëshon urdhërarrest për Radoiçiqin

Gjykata në Beograd lëshon urdhërarrest për Radoiçiqin

Makina përplas për vdekje punëtorin shqiptar në kantier në Itali

Makina përplas për vdekje punëtorin shqiptar në kantier në Itali

Rrezik i madh për konsumatorët: Dy skandale me mishin brenda pak muajsh – “Apetit” vazhdon të importojë nga Brazili

Rrezik i madh për konsumatorët: Dy skandale me mishin brenda pak muajsh – “Apetit” vazhdon të importojë nga Brazili