Gjërat që s’bashkëjetojnë dot

Gjërat që s’bashkëjetojnë dot

Gjërat që s’bashkëjetojnë dot

Shkruan: Blerim Shala

Sponsor 3M Express

Dy realitete politike, dy koncepcione, dy botëkuptime qytetëruese janë përplasur në Serbi, me 25 tetor, në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Dy botë, në fakt.

Nuk ka mundur të ketë bashkëjetesë midis këtyre dy botëve. Për më shumë, ato kanë qenë thellësisht të antagonizuara, dhe të tilla mbeten edhe sot e kësaj dite, përkundër fitores bindëse të ‘Listës Studentore’.

Nuk është rend që në politikën dhe në shoqërinë serbe do të ketë rehati. Në një të ardhme të afërt.

Humbja zgjedhore nuk mjafton në raste të këtilla, çfarë është ky i Serbisë së sotme.

Duhet të ndodhë këndellja e plotë qytetëruese, pastrimi i të gjitha institucioneve të pushtetit, mëkëmbja e gjyqësisë dhe prokurorisë, ndryshimi në skenën mediatike të këtij shteti.

Është interes i Kosovës që Serbia të bëhet një shtet i zakonshëm i demokracisë liberale, duke tejkaluar një herë e mirë atë ‘statusin’ e një shteti që nuk i njeh kufijtë e vet, nuk e respekton rendin rajonal në këto anë të Evropës, nuk pranon historinë që ka ndodhur në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar me të gjitha pasojat e saj tragjike, nuk e di vendin e vet këtupari, në Evropë dhe në Botë. 

Me një Serbi që merret me punë të veta duke synuar një transformim të gjithanshëm dhe rrënjësor, për ta kualifikuar veten që në një të ardhme të afërt të bëhet shtet anëtar i Bashkimit Evropian, Kosova do të mund të kishte marrëdhënie të mira fqinjësore, në atë finalen e procesit i cili tash e 16 vjet, nën lehtësimin e BE-së, synon normalizimin e marrëdhënieve në mes të këtyre dy shteteve.

Nuk ka pra dilema ndër ne se kah do të duhej të ecnin marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë. 

Sidoqoftë, teksa në të gjitha temat dhe çështjet e tjera, u shfaqën dallimet të denja për humnerë në mes të pushtetit të deritashëm të Serbisë së Aleksandar Vučićit dhe atij në ardhje e sipër të ‘Listës Studentore’, kur bëhet fjalë për raportin e Serbisë me Kosovën, këtu spikatet një vazhdimësi e plotë në mes të tyre.

Këtu janë Botë e njëjtë. Identike.

Edhe këta të ‘Listës Studentore’, thirren në Kushtetutën e Serbisë dhe në Rendin ndërkombëtarë, edhe këta pra pohojnë që ‘Kosova është pjesë e Serbisë’, dhe gjepura të ngjashme nga katalogu i marrëzive politike të cilat asnjëherë nuk kanë pas vlerë dhe nuk kanë qenë të qëndrueshme.

Kosova është qëmoti shtet i pavarur, dhe ky fakt ka qenë determinues (tek e fundit), për lansimin e dialogut të Brukselit të vitit 2011, por edhe për nismën franko-gjermane të vitit 2022.

Po të mos ishte kështu, nuk do kishte fare bisedime për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Sa më parë që ‘Lista Studentore’, dhe politikanët që tash e tutje do ta udhëheqin Serbinë, do ta kuptojnë këtë, aq më mirë do të jetë për ta, por edhe për gjithë rajonin, për synimet e BE-së dhe të SHBA-së që Ballkani Perëndimor të shndërrohet në një rajon ku mbizotëron stabiliteti afatgjatë.

Në të kundërtën, nëse në Serbi duhet të ndryshojë gjithçka, siç po thonë këta të ‘Listës Studentore’, teksa në relacionet me Kosovën duhet të mbahet në fuqi politika e deritashme e pushtetit të Aleksandar Vučićit, atëherë, herët a vonë, do të kontestohet ajo mësymja e madhe e kësaj Liste që njëmend ta transformojë Serbinë me themel.

Këto dy gjëra janë thellësisht kundërthënëse, kanë qenë kështu edhe në të kaluarën, në gjithë historinë politike të decenieve të fundit në Serbi, këtë e dimë ne më së miri, do të jenë po ashtu edhe me pushtetarët e ri, nëse ata do të vazhdojnë me të vjetrën në qasjen e tyre ndaj Kosovës.

Thjeshtë, këto dy gjëra s’mund të bashkëjetojnë.

Lexo edhe

Zbulohet një thikë e kamufluar në xhaketë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë

Zbulohet një thikë e kamufluar në xhaketë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë

Asamblisti i LDK-së në Deçan kundërshton rritjen e faturës së mbeturinave: Është barrë shtesë për qytetarët

Asamblisti i LDK-së në Deçan kundërshton rritjen e faturës së mbeturinave: Është barrë shtesë për qytetarët

Tentuan t’ia fusnin thikën një të paraburgosuri, zbulohet plani në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë

Tentuan t’ia fusnin thikën një të paraburgosuri, zbulohet plani në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë

Gjërat që s’bashkëjetojnë dot | Momenti