Gjashtë komisione parlamentare do të mbajnë sot mbledhjet e tyre, ku në rend dite janë shqyrtimi i projektligjeve, çështjet e të drejtave të njeriut, financat publike dhe raportet financiare të institucioneve.
Komisioni për Integrim Evropian, me fillim nga ora 09:30, do të shqyrtojë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.

Në orën 10:00 do të mblidhen tri komisione.
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione do të shpallë konkursin për Avokatin e Popullit.
Në të njëjtën kohë, Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike do të shqyrtojë Planin e Punës për sesionin vjeshtor të vitit 2026.
Po ashtu, Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim do të shqyrtojë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.
Ndërkaq, në orën 11:00, Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit do të formojë grupin punues për Projektligjin për Byronë Shtetërore dhe verifikimin e konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Në të njëjtën orë, Komisioni për Buxhet do të shqyrtojë raportin financiar të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) për periudhën janar-qershor 2026, si dhe programin e shpenzimeve të këtij institucioni për periudhën korrik-dhjetor 2026.
Burimi: Dukagjini




