Kuvendi i Kosovës ka nisur procedurat për zgjedhjen e drejtorit të ri të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, institucion ky që aktualisht drejtohet nga Yll Buleshkaj.

Konkursi për këtë pozitë është mbyllur më 2 nëntor 2026, ndërsa Komisioni për Legjislacion, në mbledhjen e mbajtur më 24 nëntor, ka shqyrtuar kandidaturat dhe ka vendosur për listën e kandidatëve që do të vazhdojnë garën.
Ndonëse kanë kaluar 22 ditë nga mbyllja e konkursit, Kuvendi ende nuk e ka bërë publike listën e kandidatëve.
Megjithatë, Kiks Kosova, përmes burimeve të saj, ka siguruar emrat e gjashtë personave që kanë aplikuar për drejtimin e këtij institucioni.
Ata janë: Begzad Halili, Valmira Latifi, Yll Buleshkaj, Afrim Atashi, Esat Ejupi dhe Ruzhdi Zeqiri.
Burime të Kiks Kosovës bëjnë të ditur se i preferuari i Lëvizjes Vetëvendosje për drejtimin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit është Begzad Halili, i cili deri më tani ka ushtruar pozitën e zëvendësauditorit të përgjithshëm në Zyrën Kombëtare të Auditimit.
Kiks Kosova ka mësuar se Komisioni për Legjislacion, me shumicë votash, ka miratuar listën e kandidatëve që do të intervistohen, duke mos e përfshirë në të drejtorin aktual të Agjencisë, Yll Buleshkaj.
Këtë e ka konfirmuar për Kiks Kosovën Doarsa Kica-Xhelili, anëtare e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.
Sipas saj, vendimi është marrë duke u thirrur në ligjin e ri për Agjencinë, i cili nuk lejon rizgjedhjen e drejtorit.
Megjithatë, gjatë mbledhjes së Komisionit janë ngritur dilema juridike nëse kufizimi i përcaktuar në ligjin e vitit 2022 mund të zbatohet edhe ndaj Buleshkajt, i cili ishte zgjedhur në këtë pozitë para hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Kica-Xhelili ka treguar se kishte kërkuar një opinion ligjor për të sqaruar qëllimin e paragrafit 1 të nenit 29 të ligjit, përkatësisht nëse kjo dispozitë ishte hartuar për të mundësuar apo për të parandaluar rikandidimin e drejtorit aktual.
Deputetja kishte kërkuar që të shqyrtohej dokumentacioni i sponsorizuesit të ligjit dhe i grupeve punuese të asaj kohe, për të kuptuar qëllimin e përfshirjes së kësaj dispozite.
Mirëpo, sipas saj, shumica e anëtarëve të Komisionit, që përbehen nga VV-ja, kanë vlerësuar se nuk kishte nevojë për një opinion të tillë ligjor dhe kanë vazhduar me miratimin e listës pa emrin e Buleshkajt.
Kica-Xhelili ka konfirmuar gjithashtu se intervistat me kandidatët që kanë kaluar fazën e parë janë planifikuar për javën e ardhshme.
Procedura për zgjedhjen e drejtorit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit është e përcaktuar në nenin 11 të Ligjit nr. 08/L-017.
Sipas këtij ligji, procedura për zgjedhjen e drejtorit të ri duhet të fillojë gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të drejtorit aktual.
Është Kuvendi i Kosovës ai që shpall konkursin publik, i cili duhet të zgjasë jo më pak se 15 dhe jo më shumë se 20 ditë.
Pas mbylljes së konkursit, Komisioni për Legjislacion ka në dispozicion 15 ditë për të vlerësuar nëse kandidatët i plotësojnë kriteret ligjore dhe për të diskualifikuar ata që nuk i përmbushin kushtet.
Në rastin konkret, duke qenë se konkursi është mbyllur më 2 nëntor, sipas llogaritjes kalendarike, ky afat ka përfunduar më 17 nëntor.
Megjithatë, Komisioni ka shqyrtuar kandidaturat në mbledhjen e 24 nëntorit, shtatë ditë pas përfundimit të këtij afati, duke ngritur pikëpyetje nëse është respektuar procedura e përcaktuar me ligj.





