Gani Geci në seancë: Nuk arratisem, s’e kam kanosur askënd, kam kërkuar të mbrohet familja ime

Gani Geci në seancë: Nuk arratisem, s’e kam kanosur askënd, kam kërkuar të mbrohet familja ime

Gani Geci në seancë: Nuk arratisem, s’e kam kanosur askënd, kam kërkuar të mbrohet familja ime

Gjykata ka caktuar një muaj paraburgim ndaj Gani Gecit, i dyshuar për kanosjen e gazetarit Lirim Mehmetaj. Masa e paraburgimit do të zgjasë nga 12 tetori deri më 11 nëntor.

Sipas aktvendimit të gjykatës, Geci dyshohet se e ka kanosur Mehmetajn pas refuzimit të këtij të fundit për ta larguar ose ndryshuar një publikim në Facebook lidhur me nipin e Gecit, deputetin Fatos Geci.

Sponsor 3M Express

Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte paraqitur kërkesën për caktimin e paraburgimit më 14 tetor, me arsyetimin se ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprës penale të kanosjes, si dhe rreziku i arratisjes, ndikimit në prova dhe përsëritjes së veprës penale.

Në seancën dëgjimore, Gani Geci i ka mohuar pretendimet se ka kanosur gazetarin, ndërsa mbrojtja e tij e ka kundërshtuar kërkesën për paraburgim.

Çfarë deklaroi Gani Geci në seancë?

Geci ka deklaruar se Prokuroria është marrë vetëm me provat fajësuese dhe nuk i ka marrë parasysh provat shfajësuese.

Ai ka mohuar se ekziston rreziku i arratisjes, duke thënë se nuk do të arratiset, pasi, siç është shprehur, nuk është arratisur asnjëherë.

Sa i përket pretendimit për ndikim te dëshmitarët, Geci ka deklaruar se në këtë rast dëshmitar është vetëm babai i gazetarit dhe se nuk ka mundësi të ndikojë tek ai.

Ndërkaq, lidhur me dyshimin për përsëritjen e veprës penale, ai ka thënë se qëllimi i tij ka qenë vetëm mbrojtja e familjes dhe se nuk ka kanosur askënd.

Çfarë tha mbrojtja e Gecit?

Avokati Besnik Berisha e ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë, duke pretenduar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit.

Sipas mbrojtjes, edhe nëse Geci i është drejtuar Mehmetajt me fjalët e përmendura në dosjen e rastit, qëllimi i tij ka qenë mbrojtja e familjes, pasi gazetari e kishte ndërlidhur nipin e tij me Beogradin, dhe jo kanosja e tij.

Berisha ka vlerësuar se rreziku i arratisjes është abstrakt dhe se nuk ka prova konkrete që dëshmojnë se Geci mund të arratiset. Ai ka kundërshtuar gjithashtu pretendimin për ndikim në dëshmitarë, duke theksuar se nuk janë paraqitur veprime konkrete që do ta mbështesnin një rrezik të tillë.

Mbrojtja ka kundërshtuar edhe rrezikun e përsëritjes së veprës penale dhe ka kërkuar që Geci të mbrohet në liri.

Pse gjykata caktoi paraburgimin?

Gjykata ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se Geci e ka kryer veprën penale të kanosjes, duke u mbështetur në deklaratën e Mehmetajt në polici, komunikimet përmes Facebook Messenger, deklarimet e vetë Gecit dhe publikimet e tij në rrjetet sociale pas ngjarjes.

Sipas aktvendimit, më 11 tetor 2026, rreth orës 19:27, në zyrat e portalit “VOX Kosova” në Prishtinë, Geci dyshohet se i ka thënë Mehmetajt: “Nëse nuk e hek postimin ose nuk e ndryshon, kena me u vra”, si dhe: “Pash një Zot, mos na merr në qafë, ndërro postimin se na duhet me u vra”.

Gjykata ka marrë parasysh edhe faktin se Geci dyshohet se kishte shkuar në afërsi të televizionit Dukagjini, ku Mehmetaj po merrte pjesë në emisionin “Debat Plus”, kishte publikuar një video në TikTok për të treguar se ndodhej aty dhe e kishte pritur gazetarin për rreth dy orë.

Sipas gjykatës, këto rrethana krijojnë rrezik konkret të përsëritjes së veprës penale dhe të vazhdimit të presionit ndaj gazetarit, nëse Geci lihet në liri pa masa të përshtatshme parandaluese.

Megjithatë, gjykata ka vlerësuar se nuk është dëshmuar rreziku i arratisjes dhe as rreziku konkret i ndikimit në prova, pasi pretendimet e Prokurorisë për këto dy rrethana nuk janë mbështetur në të dhëna konkrete.

Pavarësisht kësaj, gjykata ka konstatuar se paraburgimi është i domosdoshëm për shkak të rrezikut të përsëritjes së veprës penale dhe se masat më të buta, përfshirë arrestin shtëpiak dhe ndalimin e kontaktit apo afrimit ndaj gazetarit, nuk do të ishin të mjaftueshme.

Gjykata ka theksuar se konstatimi për ekzistimin e dyshimit të bazuar nuk nënkupton shpalljen e Gecit fajtor, pasi përgjegjësia penale do të vlerësohet në fazat e mëtejshme të procedurës.

Burimi: Dukagjini

Lexo edhe

Kapja e kundërshtarit nga flokët i kushton shtrenjtë Vinicius Jr., dënohet me katër ndeshje

Kapja e kundërshtarit nga flokët i kushton shtrenjtë Vinicius Jr., dënohet me katër ndeshje

Krasiqi: LVV-ja i pati të gjitha pushtetet për gjashtë vjet, por Kosovës i mungoi gjithçka

Krasiqi: LVV-ja i pati të gjitha pushtetet për gjashtë vjet, por Kosovës i mungoi gjithçka

Teknikët e Prishtinës: Dalin pagat, por greva e protesta vazhdojnë (VIDEO)

Teknikët e Prishtinës: Dalin pagat, por greva e protesta vazhdojnë (VIDEO)