Protestat, të cilat nisën në Paris dhe qytete të tjera, u shndërruan në përleshje të dhunshme. Ministria e Brendshme franceze vlerësoi se në demonstrata morën pjesë rreth 550 mijë persona, ndërsa sindikata CGT tha se numri i pjesëmarrësve arriti në 800 mijë, raporton AFP.
Policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji kundër protestuesve, të cilët hodhën objekte dhe fishekzjarrë. Në qytetin jugor Saint-Étienne, një 17-vjeçari iu dëmtua rëndë dora e djathtë nga shpërthimi i një granate për kontrollin e turmave.

Pas demonstratave, grupe të rinjsh sulmuan dyqane, thyen vitrina dhe plaçkitën mallra. Sulme të tilla u raportuan në Paris, Marsejë, Nicë, Nantë, Bordo, Limoges, Lilë, Tuluzë dhe Strasburg. Në shënjestër u vunë supermarkete, barnatore, dyqane veshjesh, parfumeri dhe shitore të pajisjeve elektronike.
Dhuna shkaktoi dëme edhe në ndërtesat publike. Në qytetin Limoges, një godinë e bashkisë më shumë se 140-vjeçare u dëmtua rëndë nga zjarri i vënë nga protestues të maskuar. Ndërtesa të tjera komunale u sulmuan në Marsejë dhe Lilë, ndërsa në Bordo u vandalizua një kompleks policor dhe në Lion u dogj një zyrë turistike.
Kryetari i bashkisë së Parisit, Emmanuel Grégoire, tha se disa rrugë të kryeqytetit ishin shkatërruar. Ndërkaq, presidenti Emmanuel Macron paralajmëroi se personat përgjegjës për vandalizëm, sulme ndaj institucioneve dhe bizneseve, si dhe plaçkitje, do të ndiqen penalisht dhe do të dënohen.
Protestat zhvillohen në një periudhë pasigurie politike, rreth gjashtë muaj para zgjedhjeve presidenciale. Kandidatja e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, dënoi trazirat dhe akuzoi partinë e rivalit të saj të së majtës, Jean-Luc Mélenchon, se kishte legjitimuar dhunën.
Mélenchon, i cili kishte mbështetur demonstratat, u bëri thirrje protestuesve të mos përfshihen në plaçkitje, duke i cilësuar ato si të papajtueshme me metodat e lëvizjes së tij.
Lëvizja e Jelekëve të Verdhë, e cila tetë vjet më parë organizoi protesta kundër planeve për rritjen e taksave të karburanteve, kishte bërë thirrje për demonstratat e së shtunës, të cilat u organizuan nën sloganin “Të verdhët dhe të rinjtë”.
Përveç rritjes së kostos së jetesës, protestuesit shprehën pakënaqësi edhe ndaj politikanëve dhe përqendrimit të pasurisë. Në Paris, disa pjesëmarrës brohoritën slogane kundër policisë dhe kërkuan dorëheqjen e Macronit.
“Qeveria po dridhet dhe me të drejtë, sepse kur populli francez zemërohet, nuk ndalet”, deklaroi Ryad Rani, drejtues i organizatës përfaqësuese të nxënësve të shkollave të mesme, LSU.
Burimi: RTKLive




