Vendet evropiane, përfshirë Francën, do të përfaqësohen në bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës, të cilat pritet të nisin të martën në Abu Dhabi nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara.

Këtë e bëri të ditur ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, duke theksuar se asnjë marrëveshje për të ardhmen e kontinentit nuk mund të arrihet pa përfshirjen e evropianëve, transmeton Telegrafi.
“Evropianët do të jenë të përfaqësuar mirë dhe Franca do të jetë në Abu Dhabi për të marrë pjesë në këto bisedime”, deklaroi Barrot në intervista për RTL dhe Public Sénat.
Ai sqaroi se nuk do të jetë personalisht në tryezën e negociatave, por shtoi se ende nuk është vendosur se kush do ta përfaqësojë Francën.
“Askush nuk do të flasë në emrin tonë”, tha ministri, duke kujtuar se gjatë javëve të fundit vendet evropiane u kanë bërë të qarta ndërmjetësuesve amerikanë pritjet dhe kërkesat e tyre.
Bisedimet e planifikuara për 10 dhe 11 nëntor fillimisht ishin paraqitur si negociata trepalëshe mes përfaqësuesve të Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së. Megjithatë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kishte kërkuar që në proces të përfshiheshin edhe aleatët evropianë të Kievit.
Deklaratat e Barrotit vijnë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, pas një takimi të enjten me të dërguarin rus Kirill Dmitriev, parashikoi arritjen e afërt të një “marrëveshjeje të madhe” me Rusinë për Ukrainën. Sipas Trumpit, marrëveshja mund të kishte ndikim në të gjithë Evropën dhe do të ishte e pranueshme për të gjithë, por ai nuk dha hollësi të tjera.
Barrot tha se nuk e dinte se çfarë kishte parasysh presidenti amerikan, por theksoi se asnjë marrëveshje që prek arkitekturën e sigurisë evropiane nuk mund të hartohet apo diskutohet pa pjesëmarrjen e vendeve të kontinentit.
Ministri i Jashtëm francez kritikoi gjithashtu liderin e së majtës radikale, Jean-Luc Mélenchon, duke e cilësuar atë si “zëdhënës të Kremlinit”.
Reagimi i Barrotit erdhi pas deklaratave të Mélenchonit gjatë një tubimi në Le Bourget, ku ai foli për mundësinë e mbajtjes së një referendumi për statusin e Donbasit, një rajon i pushtuar në masë të madhe nga ushtria ruse.
“Është populli ai që duhet të vendosë”, kishte deklaruar Mélenchon, duke kundërshtuar një marrëveshje paqeje që do të përfshinte lëshime territoriale nga Ukraina pa u pyetur paraprakisht banorët e zonave përkatëse.
Barrot e kundërshtoi këtë qëndrim, duke thënë se Kremlini po përpiqet t’i bindë udhëheqësit ndërkombëtarë se Donbasi është territor rus dhe se lufta kundër Ukrainës paraqitet si një operacion për çlirimin e tij.
Ai kujtoi se Moska ka organizuar më parë konsultime të ashtuquajtura në Krime dhe në katër rajone të Ukrainës juglindore që kontrollon pjesërisht. Këto procese janë hedhur poshtë nga Kievi dhe komuniteti ndërkombëtar.
Sipas Barrotit, qëndrimet e Mélenchonit janë veçanërisht shqetësuese dhe e bëjnë atë të papërshtatshëm për postet politike që synon të marrë.
Lufta në Ukrainë, temë e rëndësishme e zgjedhjeve presidenciale franceze
Lufta në Ukrainë është shndërruar tashmë në një nga çështjet kryesore të debatit politik në prag të zgjedhjeve presidenciale franceze të vitit 2027.
Marine Le Pen, e cila kryeson në sondazhe, dhe Jean-Luc Mélenchon, i renditur aktualisht në vendin e dytë, kanë mbajtur qëndrime që janë konsideruar si të favorshme për presidentin rus, Vladimir Putin.
Në mesin e tetorit, Le Pen deklaroi se, nëse fiton zgjedhjet presidenciale, do të ndërpresë ndihmën financiare të Francës për Ukrainën, të cilën ajo e vlerëson në rreth gjashtë miliardë euro në vit.
Presidenti ukrainas Zelensky reagoi duke thënë se Le Pen nuk i kupton plotësisht disa aspekte të bashkëpunimit ushtarak mes Francës dhe Ukrainës. Ai mbrojti partneritetin mes dy vendeve, duke e cilësuar atë si një bashkëpunim me përfitime për të dyja palët dhe të rëndësishëm edhe për sigurinë e Francës. /Telegrafi/




