Një burrë në Mitrovicë ka rënë në prangat e Policisë së Kosovës, pasi paraprakisht kishte ekspozuar armë në rrjetet sociale.

Situata u tensionua edhe më tej gjatë aksionit policor, pasi i dyshuari kishte kanosur zyrtarët policorë në momentin kur këta të fundit kishin shkuar për të bastisur shtëpinë e tij.
Me vendim të organeve të drejtësisë, i dyshuari është ndaluar për procedura të mëtejshme hetimore.
“Në orët e paradites së sotme policia në Stacionin Policor në Mitrovicë, pas pranimit të informatës dhe sigurimit të provave ka realizuar një bastisje në shtëpinë e një të dyshuari në Mitrovicë, ku është sekuestruar një armë zjarri dhe një karikator, ku gjatë sekuestrimit të armës i dyshuari në fjalë iu është kanosur zyrtarëve policorë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Personi i dyshuar është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar, ku pas intervistimit me urdhër të prokurorit kompetent, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor ndërsa ndaj tij është iniciuar rast për veprat penale “”Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës” dhe “Kanosje”.
Burimi: Insajderi





