Një shofer i kompanisë SCAN Taxi ka përfunduar në prangat e Policisë në Prishtinë, pasi fillimisht i është shmangur një pike kontrolli, ndërsa më pas ka tentuar të largohet me vrap kur zyrtarët policorë kanë kërkuar kontrollimin e veturës së tij private. Në automjet është zbuluar mbi gjysmë kilogrami substancë e dyshuar narkotike, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i arrestuari është Gentrit Jashari (21), i cili është ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorisë.
Ngjarja ka ndodhur të dielën, më 8 nëntor, rreth orës 20:20, në rrugën “Ramiz Cernica” në Prishtinë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, zyrtarët e Njësisë së Reagimit të Shpejtë kishin vendosur një pikë kontrolli kur drejtuesi i një taksie të kompanisë SCAN Taxi, të markës Dacia, sapo kishte vërejtur Policinë, kishte ndryshuar drejtimin duke hyrë në një rrugë dytësore.
Ai kishte vazhduar drejt bazës së kompanisë, ku e kishte parkuar automjetin.
Policët e kishin ndjekur drejtimin e tij dhe, pasi kishin mbërritur në bazën e kompanisë, kishin kontaktuar menaxherin, i cili kishte bashkëpunuar me ta për identifikimin e shoferit.
Jashari ishte paraqitur dhe kishte pranuar se kishte qenë duke drejtuar taksinë. Gjatë kontrollit fillestar personal, Policia nuk kishte gjetur asgjë të dyshimtë.
Megjithatë, dyshimet e policëve kishin vazhduar dhe ata kishin kërkuar kontrollimin e një veture tjetër, Audi A6 me ngjyrë të zezë, në pronësi të prindit të të dyshuarit, e cila ndodhej e parkuar në hapësirën e kompanisë.
Në momentin kur zyrtarët policorë i kërkuan ta hapte automjetin, 21-vjeçari nisi të vraponte për t’u larguar.
Pas një ndjekjeje prej rreth 300 metrash, ai u ndalua dhe u arrestua, megjithëse sipas informacioneve policore kishte bërë rezistencë gjatë arrestimit.
553 gramë marihuanë në çantën e lënë në ulësen e pasagjerit
Gjatë kontrollimit të Audit, Policia gjeti në ulësen e pasagjerit një çantë, brenda së cilës ndodhej një qese me 553 gramë substancë të dyshuar marihuanë.
Substanca është sekuestruar nga krimteknika, ndërsa Policia ka konfiskuar edhe automjetin.
Më pas, hetuesit e Njësisë Antidrogë kanë bastisur shtëpinë e të dyshuarit dhe objektet përcjellëse, por nuk kanë gjetur sende të tjera të dyshimta.
Pas konsultimit me Prokurorinë, ndaj Gentrit Jasharit është iniciuar rasti për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge”.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Shënim I akuzuari prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




