Gazeta Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se Flamur Morina është personi tek i cili Policia gjeti dhe sekuestroi rreth shtatë gramë kokainë, gjatë kontrollit të një veture në Prizren, ku ndodhej edhe Orhan Fetahu, i dënuari me pesë vjet burg për vepra penale që lidhen me narkotikët.

Rasti ka ndodhur sot rreth orës 11:00, kur një patrullë policore, pas informatave të pranuara nga zyrtarët e inteligjencës, ka lokalizuar dhe ndaluar një automjet në të cilin ndodheshin tre persona.
Gjatë kontrollit, zyrtarët policorë kanë gjetur tek Flamur Morina një substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë rreth shtatë gramë, e cila është sekuestruar si provë materiale.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit ishte Orhan Fetahu, 50-vjeçar, ndaj të cilit Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar urdhërarrest aktiv për vuajtjen e dënimit prej pesë vjetësh burgim efektiv.
Fetahu ishte në kërkim nga organet e drejtësisë, ndërsa arrestimi i tij u realizua pas lokalizimit të automjetit në territorin e Prizrenit.
Sipas Policisë, Flamur Morina, së bashku me substancën e dyshuar narkotike dhe provat materiale, i është dorëzuar Njësisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prizren për procedura të mëtejshme.
Ndërkaq, personi i tretë që ndodhej në automjet, pas verifikimeve të nevojshme, është liruar në procedurë të rregullt.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




