Një incident i pazakontë ka ndodhur në futbollin polak, ku një person i paidentifikuar ka hyrë në fushë me trotinet elektrik gjatë ndeshjes mes Stal Stalowa Wola dhe Legia Varshavës II, duke detyruar gjyqtarin ta ndërpresë përkohësisht takimin.

Ngjarja u regjistrua të premten mbrëma, në kuadër të xhiros së 18-të të kategorisë së dytë të futbollit polak, në një përballje që përfundoi me fitoren 3-2 të vendasve.
Në minutat shtesë të ndeshjes, personi i paidentifikuar hyri në fushë duke lëvizur me trotinet elektrik dhe përshkoi një pjesë të konsiderueshme të terrenit. Pjesëtarët e sigurimit reaguan menjëherë dhe u vunë në ndjekje të tij.
Hyrja e tij në fushë e detyroi gjyqtarin ta ndalte lojën për disa çaste. Sipas raportimeve të mediave polake, personi arriti të largohej nga fusha e kamerave, ndërsa nuk dihet nëse pjesëtarët e sigurimit arritën ta kapnin. Pas ndërprerjes së shkurtër, ndeshja vazhdoi normalisht.
Megjithatë, ky incident nuk ishte e vetmja ngjarje që e bëri të veçantë këtë përballje, pasi edhe rezultati u përmbys në mënyrë dramatike.
Legia Varshava II kishte krijuar epërsi prej dy golash që në 20 minutat e para të ndeshjes. Adam Ryczkowski shënoi në minutën e tetë, ndërsa Przemyslaw Mizera realizoi për 2-0 në minutën e 20-të.
Vendasit reaguan në pjesën e dytë, kur Maciej Sliwa ngushtoi epërsinë në minutën e 69-të. Dhjetë minuta më vonë, Jakub Jelen shënoi për barazimin e rezultatit në 2-2.
Përmbysja e plotë u realizua në minutën e 85-të, kur Maksymilian Hebel shënoi nga pika e bardhë, duke i dhënë Stal Stalowa Wolas fitoren 3-2.
Kështu, vendasit siguruan tri pikët pas një përmbysjeje të madhe, ndërsa ndeshja tërhoqi vëmendjen edhe për hyrjen e pazakontë të një personi me trotinet elektrik në fushë.
Kuriozalne sceny w Betclic 2. Lidze!
„Kukiriniarz” wjechał na murawę podczas meczu Stali Stalowa Wola z rezerwami Legii Warszawa (3:2).
Chłopak na hulajnodze elektrycznej uciekał przed ochroniarzami, a sędzia musiał przerwać spotkanie. https://t.co/tFuqQwSHrj
— Newsy.Sportu (@Newsy_Sportu) November 27, 2026
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





