E konfirmon Shtëpia e Bardhë: Trump, Putin dhe Xi planifikojnë një takim të përbashkët javën e ardhshme

E konfirmon Shtëpia e Bardhë: Trump, Putin dhe Xi planifikojnë një takim të përbashkët javën e ardhshme

E konfirmon Shtëpia e Bardhë: Trump, Putin dhe Xi planifikojnë një takim të përbashkët javën e ardhshme

Donald Trump, Vladimir Putin dhe Xi Jinping planifikojnë të takohen në kuadër të një samiti në Kinë javën e ardhshme, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Sponsor 3M Express

Takimi historik midis liderëve të SHBA-së, Rusisë dhe Kinës do të zhvillohet ndërsa Trump merr pjesë në samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në qytetin jugor të Shenzhenit, deklaroi për gazetarët, zëdhënësja Olivia Wales.

“Presidenti e ka bërë të qartë se, ndër të tjera, do të diskutojë për reduktimin e armëve bërthamore në botë; përhapjen e të cilave presidenti Trump e konsideron si shumë të rrezikshme”, tha ajo, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Mësohet se gjatë takimit të fuqive më të mëdha bërthamore në botë mund të diskutohet edhe për Iranin, por jo për Ukrainën.

Moska dhe Pekini ende nuk kanë bërë ndonjë koment.

Nuk pritet që bisedimet të çojnë në ndonjë marrëveshje, tha një zyrtar i lartë amerikan, i cili kërkoi të mbetej anonim, sipas agjencive të lajmeve AP dhe Reuters.

Trump do të mbërrijë në Shenzhen të mërkurën vonë për samitin dyditor midis 21 shteteve anëtare.

Të enjten, ai do të zhvillojë gjithashtu bisedime dypalëshe me Xi-në – takimi i tyre i katërt që kur presidenti amerikan u rikthye në detyrë në vitin 2025.

“Presidenti Trump do ta përmbyllë vizitën e tij në Kinë me një takim trepalësh midis presidentit të Shteteve të Bashkuara, presidentit të Republikës Popullore të Kinës dhe presidentit të Federatës Ruse”, ka thënë më tej Wales.

Ajo theksoi se udhëtimi i Trumpit – i cili përfshin edhe pjesëmarrjen në samitin e Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) në Filipine të martën – do të “sigurojë arritje historike për popullin amerikan dhe do të avancojë interesat e Amerikës në rajonin Indo-Paqësor”.

Një traktat për kontrollin e armëve bërthamore midis SHBA-së dhe Rusisë skadoi në muajin shkurt, duke i lënë arsenalet më të mëdha bërthamore në botë pa mekanizma të rëndësishëm kufizues dhe duke shënuar, në thelb, fundin e bashkëpunimit për kontrollin e armëve, i cili ndihmoi në zgjidhjen e Luftës së Ftohtë.

OKB-ja u ka bërë thirrje të dyja palëve që të bien dakord për një kornizë të re pa vonesë.

Megjithatë, Trump është shprehur se mund ta zëvendësojë marrëveshjen ekzistuese me një tjetër më të mirë, e cila do të përfshinte edhe Kinën – vend ky që ka zgjeruar arsenalin e tij.

Ish-zyrtarë të lartë amerikanë dhe analistë i thanë BBC-së në atë kohë se kërkimi i bashkëpunimit të Pekinit dhe Moskës mund të rezultojë në pengesa të mëdha dhe të zgjasë me vite.

Xi priti veçmas si Putinin ashtu edhe Trumpin në Pekin vetëm disa ditë larg njëri-tjetrit në fillim të këtij viti, ndërsa presidenti amerikan mirëpriti homologun e tij kinez në Uashington në shtator.

Pekini është bërë një partner tregtar i rëndësishëm për Moskën që kur nisi pushtimin e saj të plotë të Ukrainës në vitin 2022, i cili e ka izoluar Rusinë dhe e ka lënë atë subjekt të sanksioneve perëndimore.

Por një marrëveshje kontraverse e SHBA-së për të importuar naftë ruse dhe pezullimi i sanksioneve që synojnë blerësit më të mëdhenj të naftës dhe gazit të Moskës – përfshirë Kinën – rriti shqetësimin evropian në lidhje me zbutjen e administratës Trump ndaj Kremlinit muajin e kaluar.

Trump dhe Xi ndërkohë kanë kërkuar të projektojnë lidhje më të ngrohta në samitet në Pekin dhe Uashington këtë vit – megjithëse duket se është bërë pak përparim i rëndësishëm në çështje kyçe si tregtia, gara e tyre për dominimin e inteligjencës artificiale dhe Tajvani.

Lufta në Iran ka qenë gjithashtu një pikë ngërçi, me Pekinin blerësin më të madh të naftës së Teheranit dhe partnerin e tij më të madh tregtar.

Mediat shtetërore kineze raportuan të premten se Xi do të merrte pjesë në bisedime “dypalëshe” në margjinat e samitit të Apec-ut, duke cituar një zëdhënës të ministrisë së jashtme, por nuk kanë raportuar për takimin trepalësh.

Më parë këtë muaj, agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass raportoi se zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov kishte thënë se kishte “sinjale që konfirmonin gatishmërinë” për bisedime të tilla në samit. /Telegrafi/

Lexo edhe

“I shkreti mbrojtësi i majtë serb”, Klopp me lëvdata për shqiptarin Brajan Gruda

“I shkreti mbrojtësi i majtë serb”, Klopp me lëvdata për shqiptarin Brajan Gruda

“Vjollca po tregon maturi”, Monika jep vlerësimin për banorët e BBVK5 (VIDEO)

“Vjollca po tregon maturi”, Monika jep vlerësimin për banorët e BBVK5 (VIDEO)

Nëse Shqipëria dhe Mali i Zi hyjnë në BE, si preken qytetarët dhe bizneset në Kosovë?

Nëse Shqipëria dhe Mali i Zi hyjnë në BE, si preken qytetarët dhe bizneset në Kosovë?