Një konflikt mes dy fqinjëve zviceranë në komunën Roggwil, në kantonin e Bernës, ka zgjatur plot 35 vjet, ndërsa as ndërhyrjet e policisë dhe as përpjekjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjes nuk kanë arritur t’i japin fund hasmërisë mes tyre.

Bëhet fjalë për René Duppenthaler, 72-vjeçar, dhe fqinjin e tij 77-vjeçar, Hans M., të cilët janë në konflikt që nga viti 1991.
Mosmarrëveshja kishte nisur për disa shkurre që, sipas njërit prej tyre, ishin mbjellë shumë afër kufirit të pronës, por me kalimin e viteve situata është përshkallëzuar në akuza të ndërsjella, ankesa në polici dhe pretendime për dëmtime të pronës.
Rasti ka marrë një zhvillim të ri në fund të tetorit, kur policia e kantonit të Bernës është paraqitur në shtëpinë e Duppenthalerit me urdhër kontrolli.
Në qendër të hetimeve janë kamerat e sigurisë që 72-vjeçari kishte vendosur rreth pronës së tij, për të cilat fqinji pretendon se e filmojnë atë dhe familjen e tij pa pëlqim.
Hans M. e akuzon gjithashtu fqinjin se i ka helmuar një pemë kajsie, pretendime që Duppenthaler i mohon. Ky i fundit thotë se kamerat i ka vendosur për të mbrojtur shtëpinë dhe pronën e tij nga incidentet e mëparshme.
Sipas raportimit të gazetës zvicerane Blick, policia ka kontrolluar kamerat dhe pamjet e regjistruara në telefonin e 72-vjeçarit, ndërsa ndërhyrja ka zgjatur rreth 30 deri në 45 minuta.
Konflikti mes dy të moshuarve kishte përfunduar edhe më herët në polici, transmeton Telegrafi.
Në vitin 2019, pas një ankese për kërcënime, autoritetet kishin kontrolluar shtëpinë e Duppenthalerit dhe i kishin sekuestruar armët e zjarrit.
Ndërsa në gusht të vitit 2026, të dy ishin takuar edhe në prokurori, por pa arritur ndonjë marrëveshje.
Pas 35 vjetësh përplasje, pajtimi duket ende larg.
Vetë Duppenthaler nuk beson se konflikti do të marrë fund së shpejti, duke deklaruar se kjo hasmëri do të përfundojë vetëm nëse njëri prej tyre largohet nga vendbanimi ose vdes./Telegrafi/




