Dy vajza të mitura, 14 dhe 15 vjeçe, viktima të dyshuara të trafikimit në Prishtinë – arrestohen një grua dhe dy burra

Një rast i rëndë i dyshuar i trafikimit me njerëz dhe shfrytëzimit seksual të të miturave është zbuluar në Prishtinë. Pas disa muajsh hetime, Policia ka arrestuar tre persona, një grua dhe dy burra, ndërsa dy vajzat e mitura, të moshës 14 dhe 15 vjeçe, janë vendosur në strehimore të sigurt, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve të Sinjalit, në mesin e të arrestuarve është një grua rreth 44 vjeçe, e cila dyshohet për trafikim me njerëz, ndërsa dy burrat, rreth 67 dhe 70 vjeç, dyshohen për shfrytëzimin e shërbimeve seksuale të viktimave të trafikimit.
Hetimet për këtë rast lidhen me ngjarjet e raportuara më 16 qershor të këtij viti në Prishtinë dhe janë zhvilluar për disa muaj në koordinim me Departamentin për të Mitur të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Pas një pune operative dhe hetimore disamujore, më 27 nëntor është realizuar arrestimi i të tre personave të dyshuar.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të tre janë ndaluar për 48 orë.
Në koordinim me Prokurorinë, mbrojtësin e viktimave dhe Qendrën për Punë Sociale, dy vajzat e mitura janë dërguar në strehimore të sigurt.
Në kuadër të masave mbrojtëse, Qendra për Punë Sociale është përkujdesur edhe për strehimin e dy fëmijëve të tjerë, të moshës 5 dhe 13 vjeç, të cilët nuk rezultojnë të përfshirë në rastin penal.
Hetimet ndaj tre të arrestuarve po zhvillohen për veprat penale “Trafikimi me njerëz” dhe “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





