Gazetari Xhemajl Rexha, në një lidhje direkte në Klan Kosova, ka raportuar për zhvillimet në Tiranë pas protestës së sotme, e cila sërish u shoqërua me përplasje ndërmjet protestuesve dhe policisë.

“Në përgjithësi, dita e sotme, krahasuar me gjashtë ditët e kaluara, ka qenë më e qetë, që prej orës 12:00, protesta si zakonisht te Ministria e Arsimit, për t’u bartur në bulevardin kryesor, te Kryeministria dhe në sheshin “Skënderbej”, në afërsi të të cilit ndodhem aktualisht”, tha Rexha.
Ai tregoi se policia i kishte ndjekur protestuesit nëpër rrugët e kryeqytetit shqiptar, duke përdorur gaz lotsjellës, plumba gome dhe topa uji.
“Tirana vazhdon të jetojë me erën e gazit lotsjellës. Kemi parë gjithashtu arrestime të protestuesve, ndërsa disa furgonë të policisë shqiptare të cilët vazhdojnë të qarkullojnë në rrugët kryesore të Tiranës për të kapur, për të arrestuar protestues, si nga dita e sotme, ashtu edhe nga ditët e kaluara”, raportoi ai.
Sipas Rexhës, protesta e sotme ishte edhe reagim ndaj deklaratave të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, i cili kishte përsëritur se nuk do të japë dorëheqje, ndërsa kishte paralajmëruar lidhur me dëmet e shkaktuara në kryeqytet./Klankosova.tv




