Kryenegociatorja e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, Majlinda Dhuka, ka bërë thirrje për dialog, respektim të institucioneve dhe ruajtje të vlerave evropiane, në një kohë kur vendi po përballet me tensione dhe protesta.
Përmes një mesazhi, Dhuka ka theksuar se aspirata për anëtarësim në Bashkimin Evropian mbetet objektiv strategjik i Shqipërisë, ndërsa procesi i integrimit kërkon përgjegjshmëri, bashkëpunim dhe respektim të shtetit të së drejtës.

“Bashkimi Evropian është destinacioni ynë, familja evropiane është përkatësia jonë çdo ditë, edhe sot. Protesta dhe zëri i qytetarëve na kërkojnë të reflektojmë me përgjegjshmëri të lartë mbi Shqipërinë evropiane që duam e po ndërtojmë me atdhetari, vendin ku zëri i qytetarëve dëgjohet, institucionet respektohen dhe shteti i së drejtës është mbi çdo interes”, ka deklaruar Dhuka.
Ajo ka vlerësuar rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare dhe të drejtës për t’u shprehur, duke theksuar se mbrojtja e vlerave evropiane kërkon njëkohësisht dialog dhe respektim të ligjit.
“Të jesh evropian do të thotë të kesh guximin të ngresh zërin, urtësinë të respektosh ligjin dhe forcën të mos e kthesh dallimin në largësi mes nesh”, ka thënë ajo.
Dhuka është ndalur edhe te rëndësia e paqes dhe mirëkuptimit, duke theksuar se këto janë thelbësore për mbrojtjen e vlerave evropiane dhe respektit njerëzor.
“Paqja nuk është heshtje, as urtësia indiferencë. Ato janë forca për të mbrojtur vlerat evropiane, respektin njerëzor dhe Shqipërinë”, ka deklaruar kryenegociatorja.
Duke folur për procesin e integrimit, Dhuka ka vlerësuar se Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm historik dhe më pranë se kurrë përmbushjes së aspiratës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Shqipëria i përket familjes evropiane nga aspirata e të gjithë shqiptarëve, si dhe nga vlerat me të cilat zgjedh të jetojë çdo ditë. Sot jemi më pranë se kurrë përmbushjes së aspiratës evropiane mbi 30-vjeçare. Ky është një moment historik për të gjithë”, ka thënë Dhuka.
Në fund të mesazhit të saj, ajo u ka bërë thirrje qytetarëve dhe aktorëve të tjerë që të kontribuojnë në ndërtimin e urave të dialogut dhe mirëkuptimit, duke e cilësuar rrugën drejt Bashkimit Evropian si një aspiratë të përbashkët të shqiptarëve.
Burimi: Dukagjini




