Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar fotografi nga aksioni i fundit i Policisë së Kosovës kundër krimit të organizuar dhe grupeve kriminale.

Sveçla ka bërë të ditur se Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe AKI-në, ka ndërmarrë një aksion që ka rezultuar me arrestimin e tre personave të dyshuar për përfshirje në krim të organizuar, mashtrim dhe shpëlarje parash.
Gjatë këtij aksioni të realizuar në Prishtinë dhe Fushë Kosovë është sekuestruar edhe pasuri në vlerë mbi një milion euro.

Ai ka theksuar se lufta kundër krimit të organizuar dhe grupeve kriminale do të vazhdojë pa kompromis, ndërsa institucionet e sigurisë mbeten të përkushtuara në identifikimin dhe goditjen e tyre.

Të dyshuarit e rastit janë arrestuar në flagrancë, ndërsa gjatë kontrolleve janë sekuestruar 19 vetura, një motoçikletë, gjashtë telefona, pesë kompjuterë, gjashtë USB dhe 4 mijë e 95 euro para të gatshme, transmeton Klankosova.tv.





