Një darkë që nuk hahet, qoftë për shkak të një dite të ngarkuar, oreksit të dobët apo ilaçeve, mund të ndikojë në cilësinë e gjumit, paralajmërojnë nutricionistët.

Një vakt i bollshëm nuk është i nevojshëm, por diçka e lehtë para gjumit mund të ndihmojë. Nutricionistet Gabrielle Kishner dhe Samina Kalloo shpjegojnë se gjumi ndikohet edhe nga ajo që hamë për darkë dhe kur.
Të ngrënit dhe gjumi janë të lidhura nëpërmjet ritmit cirkadian, ciklit natyror të gjumit dhe zgjimit, dhe vaktet e vona shoqërohen me cilësi më të dobët të gjumit.
Një darkë e bollshme pak para gjumit e mban tretjen aktive, rrit temperaturën e trupit dhe ndryshon nivelet e sheqerit në gjak, dhe të shtrihesh me stomak plot mund të shkaktojë edhe refluks acidi. Nga ana tjetër, mosngrënia e darkës ndikon tek të gjithë ndryshe, shkruan Real Simple.
“Disa njerëz e kanë të vështirë të bien në gjumë kur shkojnë në shtrat të uritur, ndërsa të tjerë ndihen shumë mirë nëse hanë vaktin e tyre të fundit më herët gjatë ditës. Edhe nëse bini në gjumë, uria mund t’ju zgjojë gjatë natës. Anashkalimi i darkës gjithashtu mund t’ju lërë shumë të uritur në mëngjes, duke çuar në ngrënie të tepërt”, thotë Kalloo.
Kalloo këshillon një kombinim të proteinave, karbohidrateve me shumë fibra dhe pak yndyrë të shëndetshme, si bukë e thekur me grurë të plotë me gjalpë kikiriku dhe një banane ose kos me granola gruri të plotë dhe manaferra.
Magnezi nga perimet me gjethe, drithërat e plota, arrat dhe farat dhe triptofani nga vezët, shpendët, produktet e qumështit, tofu, arrat dhe farat janë të dobishme për gjumin.
Vitamina B12 nga ushqimet me origjinë shtazore, antioksidantët nga frutat dhe perimet, si dhe çajrat bimorë, siç është kamomili, gjithashtu mund të ndihmojnë. Në mbrëmje, është mirë të shmangni ushqimet yndyrore, sheqernat e shtuara, alkoolin dhe kafeinën.
Nëse hani një darkë të bollshme ose ushqim që prish gjumin, nutricionistët këshillojnë të prisni dy deri në tre orë para se të flini. /Telegrafi/




