Profesori Abit Hoxha ka folur për çështjen e Apelit për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, duke shprehur pritje të ulëta sa i përket zhvillimeve në aspektin ligjor dhe diplomatik.

“Pritjet e mia në aspektin ligjor dhe diplomatik janë shumë të ulëta. Çka do të prisja prej këtij komisioni është një mobilizim i skajshëm i shoqërisë kosovare, së pari në mënyrë financiare, së dyti në mënyrë intelektuale, që t’i jepet mundësia mbrojtjes ta performojë punën e saj më të mirë”, ka deklaruar Hoxha në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova.
Ai ka përmendur edhe vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për kufizimin e fondeve për mbrojtjen, duke iu referuar rastit të Haxhi Shalës.
“Rasti i Haxhi Shalës nuk lidhet drejt me ish-krerët e UÇK-së, por kemi njëfarë ngecje, një problem në Kosovë, i cili shihet që nuk po gjykohet UÇK-ja, nuk po gjykohet lufta, por po gjykohen katër individë”, është shprehur ai.
Hoxha ka theksuar se komisioni duhet ta ndryshojë këtë qasje, duke mundësuar fondet e nevojshme për mbrojtjen dhe më pas të nisë beteja diplomatike.
“Komisioni e ka për detyrë ta ndryshojë këtë qasje, t’i japë qasje në fonde aq sa duhet dhe pastaj të fillojë beteja diplomatike dhe të tjera. Terreni kryesor i kësaj beteje është në Bruksel për momentin. Fatkeqësisht, Qeveria e Kosovës nuk ka marrëdhënie shumë të mira me Brukselin”, ka deklaruar Hoxha.
Ndiqni videon:





