Kryeministri i Bullgarisë, Rumen Radev, ka thirrur ambasadoren ruse në Sofje, Eleonora Mitrofanova, pas sulmeve me dronë ndaj dy anijeve tregtare pranë bregdetit bullgar në Detin e Zi. Si pasojë e sulmeve, njëra anije është fundosur, 11 anëtarë të ekuipazhit rezultojnë të zhdukur dhe një marinar është shpëtuar.
Sipas autoriteteve lokale, anija e parë u fundos rreth 31 kilometra në lindje të fshatit Krapets. Ndërkohë, anija tjetër, në pronësi ukrainase, u godit nga dronët rreth 33 kilometra larg qytetit të Byalës. Të 15 anëtarët e ekuipazhit të kësaj anijeje u shpëtuan.

Pas sulmeve, Radev thirri një takim urgjent me drejtuesit e institucioneve të sigurisë, ndërsa bëri të ditur se kishte kërkuar sqarime nga ambasadorja ruse.
Ai tha se deri më tani nuk ka prova përfundimtare që përcaktojnë përgjegjësinë e ndonjërës palë, por sipas tij, “logjika sugjeron se përfitimi nga kjo situatë i takon Federatës Ruse”.
Sipas mediave bullgare, Mitrofanova i ka thënë Radevit se nuk kishte informacione nga Ministria ruse e Mbrojtjes lidhur me sulmet e fundit. Ajo ka ngritur gjithashtu mundësinë që sulmet të jenë provokim nga një palë e tretë.
Kryeministri bullgar i cilësoi sulmet ndaj anijeve tregtare pranë ujërave territoriale të vendit si të papranueshme.
“Një tjetër sulm ndaj anijeve tregtare në afërsi të menjëhershme të ujërave territoriale bullgare është absolutisht i papranueshëm”, tha Radev.
Ai bëri të ditur se njëra prej anijeve të goditura ishte Chelsea 3, me flamur të Maltës dhe e regjistruar në Odesa të Ukrainës. Sipas tij, pesë anëtarë të ekuipazhit të kësaj anijeje po trajtohen për lëndime të lehta.
Sulmet e fundit vijnë vetëm një javë pasi dy anije të tjera tregtare u goditën nga dronë detarë dhe ajrorë brenda zonës ekskluzive ekonomike të Bullgarisë. Njëra prej tyre, Alfa Watan, u fundos, ndërsa të 10 anëtarët e ekuipazhit, përfshirë nëntë shtetas sirianë, konsiderohen të vdekur.
Pas sulmeve të mëparshme, Radev kishte kërkuar ndihmë teknike nga NATO-ja dhe Bashkimi Evropian për hetimin e rasteve, duke thënë se nuk ishte e qartë se kush qëndronte pas tyre, raporton BBC.
Bullgaria është anëtare e NATO-s. Radev ka zhvilluar gjithashtu një bisedë me sekretarin e përgjithshëm të aleancës, Mark Rutte, lidhur me situatën e fundit në Detin e Zi.
Rutte tha se NATO-ja do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me aleatët në rajon, duke theksuar se aleanca ka forcuar tashmë praninë e saj përgjatë krahut lindor dhe do të vazhdojë të monitorojë situatën e sigurisë.
Ndërkohë, Ukraina e ka akuzuar drejtpërdrejt Rusinë për sulmet e fundit. Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, tha se sulmet ndaj anijeve tregtare pranë ujërave territoriale bullgare tregojnë, sipas tij, shpërfilljen e qëllimshme të Moskës ndaj jetëve të civilëve dhe sigurisë detare në Detin e Zi.
“Deti i Zi është një arterie jetike për sigurinë ushqimore globale. Rusia po e sulmon për ta përdorur urinë si armë dhe për ta mbajtur botën peng. Kjo duhet të përballet me vendosmëri”, deklaroi Sybiha.
Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka paralajmëruar se Deti i Zi po shndërrohet në një tjetër front të përshkallëzimit të luftës së Rusisë në Ukrainë, duke i cilësuar këto zhvillime të papranueshme.
Nga ana tjetër, ushtria ruse nuk ka komentuar publikisht sulmet e fundit. Moska ka deklaruar më herët se shënjestron anijet që transportojnë armë dhe ngarkesa me përdorim të dyfishtë drejt porteve ukrainase, ndërsa Kievi dhe aleatët e tij evropianë thonë se po sulmohen edhe anije tregtare që transportojnë drithëra dhe mallra të tjera civile.
Rusia ka refuzuar vazhdimisht thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve evropiane për një armëpushim detar në Detin e Zi, duke e akuzuar Ukrainën për sulme ndaj anijeve tregtare ruse.
Të dyja vendet janë eksportuese të mëdha të drithërave, ndërsa Turqia u ka bërë thirrje Rusisë dhe Ukrainës që të ndalin sulmet në Detin e Zi.
Burimi: Dukagjini




