Blogeri ushtarak rus, Mikhail Zvinchuk, themelues i kanalit ‘Rybar’ në Telegram, është ndaluar të premten në Mal të Zi së bashku me disa bashkëpunëtorë të tij.

Autoritetet malazeze kanë urdhëruar largimin e tij nga vendi, duke u bazuar në arsye të sigurisë kombëtare, raporton CNN-i.
Kryeministri malazez Milojko Spajiq ka deklaruar se masa u ndërmor pas informacioneve se rrjeti ‘Rybar’ mund të tentonte destabilizimin e vendit përmes dezinformimit.
Kanali ‘Rybar’, i cili ka më shumë se 1.5 milion ndjekës, akuzohet nga autoritetet britanike dhe amerikane për përhapje të propagandës së Kremlinit.
Zvinchuk është nën sanksione nga Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian për aktivitetet e tij të lidhura me propagandën ruse dhe përpjekjet për të minuar Ukrainën.
Sipas inteligjencës ukrainase, ai përhap vazhdimisht dezinformata që synojnë të justifikojnë pushtimin rus dhe të diskreditojnë ushtrinë ukrainase.
Mediat ruse raportuan se Zvinchuk dhe bashkëpunëtorët e tij janë liruar nga ndalimi dhe po prisnin në aeroport për t’u larguar nga Mali i Zi.




