Një inxhinier britanik ka tërhequr vëmendjen me një projekt të pazakontë, pasi bleu një aeroplan të vjetër Boeing 737 për rreth 4,600 euro dhe vendosi ta groposë në oborrin e shtëpisë së tij.

Dave Billings, 45 vjeç, nga Derbyshire i Mbretërisë së Bashkuar, bleu trupin prej tri tonësh të një Boeing 737-500 përmes platformës Facebook Marketplace, me synimin për ta shndërruar në një hapësirë nëntokësore për argëtim dhe strehim emergjent.
Sipas New York Post, Billings e vendosi strukturën në një gropë rreth 4.3 metra të thellë, ndërsa pjesa e sipërme do të mbulohet me beton dhe dhe.
Ideja lindi pasi djali i tij, i apasionuar pas aviacionit, e inkurajoi ta blinte aeroplanin.
Megjithatë, bashkëshortja e tij fillimisht nuk ishte e bindur për projektin.
“Ajo pyeste veten pse po shpenzoja para për një aeroplan të vjetër dhe mendonte se ishte mbeturinë”, tregoi Billings.
Megjithëse projekti është cilësuar si bunker për fundin e botës, britaniku thotë se qëllimi kryesor është krijimi i një hapësire për festa dhe relaksim.
“Është kryesisht një vend për t’u argëtuar dhe për të organizuar festa, por mund të shndërrohet edhe në një strehimore kundër rrezatimit bërthamor”, shpjegoi ai.
Struktura do të pajiset me energji elektrike, ujë, panele diellore dhe sistem të veçantë ventilimi.
Madje, edhe tualeti origjinal i aeroplanit do të përshtatet për përdorim.
Billings pretendon se, me furnizime të mjaftueshme ushqimore, familja e tij mund të qëndrojë aty për muaj të tërë në rast të një konflikti të madh, përfshirë një Luftë të Tretë Botërore. /Telegrafi/





