Prokuroria Speciale e Kosovës, ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj Skender llugiqit për dy vepra penale, “Kanosja” dhe “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri, më 12.08.2026, rreth orës 14:00, në objektin e Kuvendit të Kosovës, ka kanosur deputetin e Aleancës, Ramush Haradinajn.
“Gjithashtu, nga fillimi i muajit gusht deri më 12.08.2026, i pandehuri sipas aktakuzës përmes rrjeteve sociale dhe veprimeve publike ka nxitur urrejtje dhe mosdurim ndaj të dëmtuarit, duke kontribuar në cenimin e rendit dhe sigurisë publike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Më 14 gusht, Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji Skender Llugiqit, si i dyshuar se ka bërë thirrje për vrasjen e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt.
Lajmin për Klankosova.tv e kishte konfirmuar zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.
Llugiqi, gjatë qëndrimit në sallën e Kuvendit të Kosovës më 12 gusht, e cila ishte hapur për pritjen e mërgimtarëve, kishte bërë thirrje LIVE për pushkatimin e Haradinajt. /Klankosova.tv




